U dhunua në komisariat? Reagon Policia: 29-vjeçari ka kanosur dhe dëmtuar fizikisht një efektiv
Policia e Bulqizës ka reaguar lidhur me një lajm në rrjetet sociale ku pretendohet se është ushtruar dhunë nga Policia ndaj një 29-vjeçari.
Sipas sqarimit të bërë nga ana e uniformave blu thuhet se R. P., 29 vjeç, banues në Bulqizë (person me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes) gjatë momentit të shoqërimit ka kanosur e kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë si dhe i ka shkaktuar dëmtime fizike njërit prej tyre.
Tashmë i riu akuzohet për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Kanosje për shkak të detyrës”
Në lidhje me pretendimin se është ushtruar dhunë policia sqaron se në asnjë moment nuk është ushtruar dhunë nga punonjësit e policisë ndaj personit të arrestuar.
Njoftimi i policisë:
Në lidhje me një lajm të publikuar në rrjetet sociale ku pretendohet se është ushtruar dhunë nga Policia ndaj një shtetasi që ndodhet i shoqëruar në Komisariatin e Policisë Bulqizë, sqarojmë opinionin publik se :
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, në orët e mbrëmjes të datës 17.12.2020, kanë ngritur një pikë kontrolli dhe kanë ndaluar për verifikim një automjet ku udhëtonin tre shtetas, të cilët nuk dispononin mjete identifikimi me vete dhe për këtë arsye është bërë shoqërimi i tyre në Komisariatin e Policisë.
Shtetasi R. P., gjatë momentit të shoqërimit ka kanosur e kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë si dhe i ka shkaktuar dëmtime fizike njërit prej tyre.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit:
R. P., 29 vjeç, banues në Bulqizë (person me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes), për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Kanosje për shkak të detyrës”
Në lidhje me pretendimin se është ushtruar dhunë sqarojmë opinionin publik se në asnjë moment nuk është ushtruar dhunë nga punonjësit e policisë ndaj personit të arrestuar.