U ”dogj” nga PS, Dritan Leli i lë stafetën Ermal Dredhës: Është gati prej venave të historisë
I shpallur ”non-grata” nga Edi Rama, kryetari aktual i bashkisë Vlorë Dritan Leli ka ndarë një foto me kandidatin për kryetar bashkie të PS-së në Vlorë Ermal Dredhën, të cilit i lë stafetën si pasardhësi i tij, nëse PS-ja rezulton e zgjedhura e vlonjatëve në zgjedhjet lokale. Leli thotë edhe se Dredha është gati tashmë për këtë pozicion dhe se i uron atij t’i shtojë shpirtit të qytetit, energjinë e turizmit që duhet të shtrihet në çdo muaj të vitit.
“Përpara të gjitha sfidave dhe stereotipit të ashpërsisë që shfaq për së pari Vlora, për kë nuk ia njeh zemrën e butë, Ermal Dredha, kandidati i Partisë Socialiste për të drejtuar bashkinë e qytetit, në prag të mandatit, është gati.
Është gati prej venave të historisë që ai dhe familja e tij i njeh qytetit, prej gatishmërisë që përvoja administrative i ka dhuruar ndër vite dhe është gati prej dëshirës për të shpënë përpara të gjitha qëllimet zhvilluese të qeverisë shqiptare që sot e gjithë ditën janë bërë e po bëhen në Vlorë.
Prandaj, bashkë me mirënjohjen për ç’jetova këto tetë vite e mundësinë e pashlyeshme që m’u dha për t’i shërbyer këtij qyteti, si asnjë i dytë, i uroj Ermalit t’i shtojë shpirtit të këtij vendi të bekuar, energjinë e turizmit që duhet të shtrihet në çdo muaj të vitit sepse nuk ka tjetër si ajri i këtij deti që qetohet mes një ishulli e gadishulli, përballë jetës”.