U gjet pa ndjenja në dushin e burgut, humb jetën i dënuari për drogë. Një tjetër rast edhe në Vlorë

Një tjetër i dënuar ka humbur jetën teksa vuante izolimin për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së drogës në burgun e Rrogozhinës. Drejtoria e Burgjeve konfirmoi ngjarjen dhe bëri me dije se viktima është Erlad Helshani, 43 vjeç, banues në Kavajë.

“Helshani u gjet pa ndjenja nga bashkëvuajtësit e tij, ndërsa po lahej në dush. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të mjekut të institucionit, i cili e shoqëroi drejt spitalit, Helshani ndërroi jetë në orën 09:15 në Spitalin e Rrogozhinës”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Helshani po trajtohej për hipertension dhe nivele të larta të yndyrave në gjak, gjatë qëndrimit në IEVP Rrogozhinë. Ai ishte i dënuar me 4 vite e 8 muaj heqje lirie për prodhim të lëndëve narkotike.

Sot në mëngjes, u njoftua edhe humbja e jetës së një tjetër të dënuari, Fotaq Zaharisë, nga Vlora për shkak të problemeve respiratore nga të cilat vuante prej 22 Korrikut dhe përkeqësimit më 16 Gusht, kur u shtrua në QSUT për trajtim. Zaharia ishte dënuar me 25 vite burg për grabitje dhe pengmarrje pas trazirave të vitit 1997, teksa ishte edhe i paralizuar nga një plumb gjatë plagosjes së tij në operacionin e arrestimit gati dy dekada më parë.

SHKARKO APP