“U kalbën të gjitha”, ish-ministri: Ja tre masat për ndalimin e kolapsit të bujqësisë
“U kalbën të gjitha, po qajnë fëmijët”, ishte kjo lajtmotivi i protestës së sotme të fermerëve të Lushnjes dhe Beratit. E duke marrë shkas nga kërkesat e fermerëve shqiptarë, ish-ministri i Bujqësisë Edmond Panariti bën apel që të ndalet rrënimi i mëtejshëm i prodhimit bujqësor vendas.
Përmes një reagimi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Panariti jep dhe 3 masat e para si fillim për ndalimin e kolapsit të bujqësisë.
“Ndal rrënimit të prodhimit bujqësor! Tre masa për ndalimin e kolapsit të bujqësisë!
- Rikthimi i rimbursimit në masën 20% të vlerës së produktit në shitje. Sepse pikat e grumbullimit nuk e mbledhin me prodhimin vendas, nuk u leverdis.
- Furnizim i detyruar i institucioneve publike, kopshte, çerdhe, azile, forca të armatosura dhe rendit vetëm me prodhim vendas. Vetëm në mungesë të tij të importohet.
- Të ndalohet importi i prodhimeve bujqësore të subvencionuara në origjinë. Të vihet në veprim masa “anti dumping”, parashikuar në marrëveshjen e tregtisë së lirë, për mbrojtjen e prodhimit vendas. Kaq si fillim”, propozon në reagimin e tij, ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti.