U mbyllën 9 prokurori, shtohet puna për prokurorët në detyrë
Mes një drejtësie të mbuluar nga stoku i dosjeve në gjykata, në vështirësi gjenden edhe prokurorët.
Kreu i qeverisë së prokurorisë, Alfred Balla e përshkruan gjendjen të vështirë jo vetëm për prokurorët, por edhe për qytetarët që presin zgjidhje hetimore sidomos për konfliktet e pronësisë.
Prokurorisë i mungojnë 127 prokurorë, mbasi në detyrë kanë mbetur vetëm 214 në të gjithë sistemin, disa prej të cilëve presin ende Vettingun. I paplotësuar ende vijon edhe SPAK, për të cilin ka pretendentë, megjithatë gara nuk është hapur ende. Balla insiston se kjo strategji po ndiqet për të mos krijuar akoma më tepër mungesa në prokurori.