U merrnin ryshfet biznesmenëve, gjykata vendos për dy tatimorët e arrestuar

“Arrest me burg” ka vendosur Gjykata e Durrësit për dy inspektoret tatimorë të Drejtorisë se Përgjithshme që u arrestuan tre ditë më parë për mitmarrje. Dy Inspektorët e Hetimit Tatimor në Drejtorinë Rajonale të Tatim Taksave Tiranë do të vijojnë të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimeve, ndërsa kanë të drejtë të apelojnë vendimin brenda harkut të dhjetë ditëve.

Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, në vijimësi të hetimit, dha për Gentian Elezin 29 vjeç dhe Artan Kroj 37 vjeç, masën e sigurimit personal “arrest me burg”.

Dy zyrtarët akuzohen për “korrupsion pasiv dhe aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” si dhe “shpërdorim të detyrës”. Ata u arrestuan tre ditë më parë nga policia e Durrësit pas një hetimi proaktiv 3-mujor. Sipas hetimeve, dy të arrestuarit, në bashkëpunim edhe me një inspektor tjetër të shpallur në kërkim, shpërdoronin detyrën dhe ju merrnin ryshfet bizneseve gjatë inspektimit të tyre, shuma në vlera monetare që shkonin deri në 200.000 lek për çdo rast.

Swiss Digital Desktop Reklama

***

Swiss Digital Mobile Reklama

Si u zbuluan inspektorët që gjobisnin bizneset në Durrës, njëri prej tyre kryetari i PS në njësinë Nr. 3 në Tiranë.

Artan Kroj, 37 vjeç dhe Gentian Elezi, 29 vjeç, banues në Tiranë, u arrestuan nga strukturat e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në Durrës, ndërsa është shpallur në kërkim dhe po punohet për arrestimin e kolegut të tyre, shtetasin P.H., 43 vjeç. Policia e Durrësit bëri publik arrestimin e tyre paraditen e djeshme, ndërkohë që mbrëmjen e së martës, Partia Demokratike akuzoi Policinë se po fshihte ngjarjen.

Artan Kroj, kryetari i PS-së në njësinë Nr. 3 në Tiranë

“Artan Kroj, kryetari i PS-së në njësinë Nr. 3 në Tiranë, drejtues në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, mik i deputetes Klotilda Bushka, është arrestuar për korrupsion dhe gjobëvënie ndaj bizneseve, por ngjarja po fshihet me urdhër politik. Artan Kroj nuk duhet të ishte fare në administratë, sepse ai rezulton i dënuar me 7 vjet burg për trafik ndërkombëtar droge në Greqi në vitin 2004 me emrin Marjels Kroj”, thuhej në reagimin e PD-së.

Një ditë më pas (dje), Policia e Durrësit njoftoi arrestimin e tyre dhe bëri të ditur rezultatet e aksionit që vinte pas një hetimi disamujor. “Nga strukturat e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, pas një hetimi proaktiv 3-mujor për veprat penale ‘Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike’, ‘Korrupsion aktiv i personave që ushtojnë funksione publike’ dhe ‘Shpërdorim të detyrës’, u arrestuan në flagrancë shtetasit: Gentian Elezi, 29 vjeç, Artan Kroj 37 vjeç. Gjithashtu, është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit P.H., 43 vjeç”, bëri të ditur Policia.

Sipas të dhënave të Policisë, inspektorët tatimorë, në bashkëpunim me njëritjetrin, duke shpërdoruar detyrën, kërkonin dhe u merrnin ryshfet bizneseve gjatë inspektimit të tyre, shuma në vlera monetare që shkonin deri në 2 milionë lekë të vjetër për çdo rast. Pas denoncimit të një biznesi, nisi një hetim proaktiv që zgjati rreth tre muaj, duke konkluduar me arrestimin e inspektorëve dhe duke siguruar prova që vërtetojnë shpërdorimin e detyrës nga ana e tyre, pasi rezulton se gjobisnin bizneset gjatë kohës që kryenin inspektimin e tyre. Ndërkohë, Policia vijon punën për arrestimin e inspektorit të tretë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?