U ofruan ryshfet policve, arrestohen 2 persona në Korçë

Goditen dy raste të mitdhënies në qytetin e Korçës.

Policia ka arrestuar në flagrancë dy persona të cilët tentuan të korruptonin punonjësit e policisë rrugore me qëllim shmangien e masave administrative.

Ndërkohë, njëri prej tyre ushtronte shërbimin taksi e palicencuar dhe tjetri drejtonte mjetin pa rrip sigurimi.

“Shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore në vijim të kontrolleve të ushtruara për rritjen e parametrave të sigurisë në rrugë, kanë goditur dy raste të mitdhënies si rezultat i të cilëve në bashkëpunim me specialistët e Seksionit kundër Korrupsionit në DVP Korçë, bënë arrestimin në flagrancë të dy shtetasve konkretisht: E. N., 39 vjeç, banues në Korçë, pasi pranë vendit të quajtur “Kryqëzimi i Zëmblakut”, ky shtetas është kapur me mjetin e tij tip “Benz”, duke ushtruar pa licencë shërbimin taksi, i cili për të shmangur masën administrative, iu ka ofruar ryshfet punonjësve të policisë. E. H., 22 vjeç, banues në Korçë, pasi në lagjen nr. 17, është kapur duke drejtuar mjetin tip “BMË”, pa vendosur rripin e sigurimit, i cili për të shmangur gjobën, ka tentuar t’i korruptojë punonjësit e policisë.” – njofton policia.

Nga ana tjetër, gjatë kësaj jave, nga strukturat e Policisë Rrugore të Qarkut Korçë:

Janë proceduar penalisht edhe 4 shtetas të tjerë, tre prej të cilëve për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe një tjetër për “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Janë pezulluar 7 leje drejtimi, janë vendosur 39 masa administrative për mosvendosje të rripit të sigurimit dhe 141 masa të tjera për përdorim celulari gjatë drejtimit të mjetit.

Në akset nacionale por edhe në zonat turistike të Qarkut Korçë, është rritur prezenca e patrullave të Policisë Rrugore, me qëllim përballimin e fluksit të shtuar të automjeteve që vijnë me turistë, parandalimin e shkeljeve dhe aksidenteve rrugore, menaxhimin e trafikut në çdo rast bllokimi.

SHKARKO APP