U pagua 20 mijë lekë të reja, i riu i vuri flakën tarracës së një lokali në Tiranë. Në pranga 29-vjeçari

Klizjan Bajrami, 29-vjeç është vënë në pranga, pasi i vuri flakën tarracës së një lokali në Tiranë në këmbim të 20 mijë lekëve të reja që porositësi e tij e pagoi për të djegur lokalin.

“Si rezultat i këtij operacioni u ndalua shtetasi K. B., 29 vjeç, dhe u shpall në kërkim shtetasi R. B., 24 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Shtetasi K. B., më datë 12.10.2023, ka hedhur lëndë djegëse në tarracën e një lokali në rrugën “Gjin Bue Shpata”, dhe si pasojë janë djegur panelet diellore dhe disa pajisje të lokalit. Nga veprimet hetimore të kryera, ka rezultuar se ky shtetas është paguar nga shtetasi R. B., me shumën 20 000 lekë të rinj, për kryerjen e këtij krimi.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan veshje të cilat autori i zjarrvënies, ka patur veshur gjatë kryerjes së krimit, si dhe disa targa automjetesh të shtetësive të ndryshme, të gjetura gjatë kontrollit të banesës së tij.

Punohet për kapjen e shtetasit R. B., si dhe të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale”, njofton policia.

SHKARKO APP