U përjashtua nga Kuvendi, deputetja Metaliaj: E mësova nga media, beteja jonë nuk ka kthim pas

Deputetja demokrate Lindita Metaliaj foli për përjashtimin e saj nga seancat plenare dhe nga komisionet për 10 ditë, pasi futi flakadanë në Kuvend. Ajo u shpreh se nuk është njoftuar zyrtarisht për përjashtimin nga Kuvendi, ndërsa shtoi se është informuar përmes mediave.

“Unë jam njohur me vendimin e përjashtimin përmes mediave, nuk kam asnjë njoftim zyrtar. Është një terr informativ për këtë pjesë. Jemi kthyer në diktuarën e hershme, mungojnë internimet. Ne s’kemi asnjë rrugëdalje tjetër. Ne si qytetarë kemi të drejtën e fjalës së lirë dhe për sa kohë nuk dëgjohemi dhe as nuk na jepet fjala për procedurë, ndaj duhet të kërkojmë llogari.

Flasim për ngritjen e komisioneve hetimore, ato janë e drejtë Kushtetuese. Ne na i kanë rrëzuar këto me urdhër të Ramës. Kemi kërkuar një sërë ngritjesh komisionesh, por na i janë mohuar. Ata nuk na kanë lënë asnjë rrugë dhe mënyrë proteste. Ne do i shkojmë deri në fund kësaj beteje parlamentare.

Kjo është një betejë pa kthim, për aq kohë sa na shkelen ne të drejtat, imagjinoni qytetarët e thjeshtë se si shkelen. Mund të marrim çdo vendim ekstrem, nëse do jetë e nevojshme çdo vendimmarrje do e marrim”, u shpreh deputetja e PD.

SHKARKO APP