U plagos në krye të detyrës, zv/drejtori i Policisë së Shtetit viziton efektivin në spital
Një efektiv i Policisë i cili u dëmtua gjatë ndërhyrjes për të ndaluar një drejtues mjeti që qarkullonte në sens të kundërt të lëvizjes dhe i pajisur me armë zjarri, është vizituar këtë të premte nga zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Albert Dervishaj.
Gjatë bisedës me policin e dëmtuar dhe me kolegët e tij, Dervishaj u shpreh se veprime të tilla janë një inkurajim për të gjithë punonjësit e tjerë, duke shtuar besimin tek qytetarët.
“Punonjësit e policisë sakrifikojnë shumë, madje në raste të veçanta deri në më sublimen, për të mirën e përgjithshme dhe në këtë kuadër dëshiroj të përgëzoj gjithë grupin e punës që ishte mbrëmë në detyrë dhe u përball me një drejtues mjeti të armatosur dhe nën ndikimin e alkoolit, i cili duke qarkulluar në sens të kundërt nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar por përkundrazi, rrezikoi jetët e tyre”.
Rikujtojmë që mbrëmjen e djeshme një automjet po lëvizte në drejtim të kundërt dhe efektivët i kanë kërkuar të ndalonte lëvizjen menjëherë. Më pas automjeti jo vetëm që nuk ka ndaluar, por ka aksidentuar edhe dy efektivët.