U rikonfirmua ministër, Bledi Çuçi tregon prioritet e Ministrisë së Brendshme
Bledi Çuçi u rikonfirmua sot nga kryeministri Edi Rama si ministër i Brendshëm në mandatit e tretë qeverisës. Çuçi e sheh besimin që i është dhënë nga kryeministri Rama si përgjegjësi për të çuar përpara sfidat që lidhen me garantimin e rendit, sigurisë publike, jetës e pronës së qytetarëve, si dhe me përballjen me paligjshmërinë. ”Mandat që është një kontratë e re besimi për të vijuar me punët e nisura, për të bërë shkëputjen e madhe të vendit dhe për ta ndërtuar këtu të ardhmen tonë”.
Reagimi i plotë
Rikonfirmimi në postin e Ministrit të Brendshëm dhe drejtimi politik i qarkut Berat janë një tjetër vlerësim nga Kryeministri dhe Partia Socialiste, po aq sa edhe një përgjegjësi e lartë në të njëjtën kohë.
Në krye të këtij institucioni kaq shumë të rëndësishëm do të vazhdoj të punoj për të çuar përpara sfidat që lidhen me garantimin e rendit, sigurisë publike, jetës e pronës së qytetarëve, si dhe me përballjen me paligjshmërinë. Kontrolli i territorit, lufta ndaj kriminalitetit dhe ngritja e punës së Policisë së Shtetit në një tjetër nivel, mbeten prioriteti ynë i përbashkët përgjatë mandatit të tretë.
Mandat që është një kontratë e re besimi për të vijuar me punët e nisura, për të bërë shkëputjen e madhe të vendit dhe për ta ndërtuar këtu të ardhmen tonë.
Një falenderim të veçantë sidomos për të gjithë bashkëpunëtorët, miqtë dhe qytetarët në qarkun Gjirokastër, për mbështetjen që më kanë dhënë mua e Partisë Socialiste në këto vite.
Faleminderit! Mezi pres të punoj edhe me socialistët dhe qytetarët e Beratit, Skraparit, Poliçanit, Kuçovës e Dimalit, për të bërë po aq punë të mira si në qarkun Gjirokastër, për të shtyrë më tej investimet dhe projektet që zhvillojnë turizmin, bujqësinë dhe sektorë të tjerë të ekonomisë së këtij qarku.