U sekuestrohet pasuria Çilotajve në Fier, si dhe një pikë këmbimi valutor
Rreth 20 ditë pasi nisi hetimet ndaj biznesmenit Vladimir Çilotaj për pastrim parash, Prokuroria e Fierit ka kaluar në veprime konkrete.
Ditën e sotme organi i akuzës njoftoi Gjykata e Fierit ka vendosur sekuestro preventive ndaj pasurisë së tre vëllezërve Çilotaj si dhe fierakut Xhevahir Troka, pronar i një pike të këmbimit valutor.
Ky i fundit është arrestuar, vëllezërit Shpëtim dhe Vladimir Çilotaj janë shpallur në kërkim, ndërsa është caktuar masa e sigurisë detyrim paraqitje për Agur Çilotaj dhe Jonida Çilotaj.
Të pestë akuzohen për pastrim të produkteve të veprës penale, të parashikuar nga neni 287 i K.Penal.
Xhevair Troka kishte një pikë ‘Exchange’ në Fier dhe përdorte biznesin e tij për të pastruar para bashkë me 4 persona të tjerë.
Burime nga Prokuroria e Fierit bëjnë me dije se nëpërmjet kryerjes së transaksioneve bëhej e mundur pastrimi i parave të pista, burimi i të cilave dyshohet se ka ardhur nga aktiviteti kriminal.
Ndërsa Shpëtim Çilotaj rezulton biznesmen, pronar tregtimi dhe prodhimi materialesh ndërtimi dhe aktiviteteve të llojeve të ndryshme.
Prokuroria e Fierit i ka mbajtur në përgjim këtë grup prej disa vitesh ku ata kanë kryer transaksione të shumta përgjatë kësaj periudhe kohore.
Xhevahir Troka- I arrestuar
Shpëtim Çiljotaj-Në kërkim
Vladimir Çiljotaj- Në kërkim
Agur Çiljotaj- Detyrim paraqitje
Jonida Çiljotaj- Detyrim paraqitje
Biznesmenit Vladimir Çilotaj rreth një muaj më parë iu sekuestrua një laborator droge
Njoftimi i Prokurorisë
Ndalohet një shtetas për “Pastrim të produkteve të veprës penale”, 2 shpallen në kërkim, dhe për 2 të tjerë është dhënë masa e sigurisë “Detyrim paraqitje”.
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë Fier, pas një hetimi 2 vjeçar, bënë të mundur finalizimin e operacionit policor të koduar “PASTRIMI”.
Si rezultat i këtij operacioni, u ndalua shtetasi:
-Xhevair Troka, 52 vjeç, banues në Fier.
Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier me vendimin e datës 01.06.2018, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”.
Gjithashtu u bë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasve:
1.L.Ç, 50 vjeç, banues në Patos
2.Sh.Ç, 44 vjeç, banues në Durrës
Për këta shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë Fier me Vendimin e datës 01.06.2018 ka caktuar masë sigurie “Arrest në burg” për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”.
Po për këtë vepër penale, Gjykata e Shkallës së Parë Fier ka vendosur masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” për shtetasit me iniciale:
1. A.Ç, 75 vjeç, banues në Patos.
2. J.Ç, 26 vjeçe, banuese në Patos.
/Ora News
KOHA JONË SONDAZH

