U shkri pas krijimit të SPAK-ut, Kryeprokurori takon stafin e Krimeve të Rënda
Kryeprokurori Olsian Çela mëngjesin e sotëm ka zhvilluar një vizitë te Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila ka filluar transferimin e dosjeve te SPAK-u, pasi do të shkrihet.
Çela vlerësoi punën e prokurorisë së Krimeve të Rënda, ku shërbeu për 17 vite duke e cilësuar si një prokurori suksesi, që ndryshoi imazhin e vendit dhe rriti besimin me partneret e huaj përsa i përket hetimit të krimit të organizuar. “Rezultatet e prokurorisë së Krimeve të Rënda sollën qëndrimin pozitiv të ndërkombëtarëve në raport me qasjen e tyre për futjen e Shqipërisë në NATO dhe organizma të tjera të BE” tha Çela.
Gjithashtu Kryeprokurori i ri, falënderoi të gjithë prokurorët që shërbyen në këtë prokurori dhe u uroi suksese atyre që do jenë pjesë e SPAK-ut, raporton gazetari i Shqiptarja.com Elton Qyno. Në fund të takimit Çela bëri dhe një foto të përbashkët me të gjithë trupën e prokurorëve të Krimeve të Rënda.
Pas marrjes së detyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela firmosi udhëzimin e parë që u kërkon prokurorëve të Krimeve të Rënda si dhe të prokurorëve të juridiksionit të përgjithshëm për të identifikuar, inventarizuar dhe transferuar dosjet, sipas kompetencës, në Prokurorinë e Posaçme, SPAK.