U vra nga ish-vjehrri, familja e Kudret Saliajt hap dyert e mortit
Djali, 16-vjeçar i viktimës po priste në krah të xhaxhait të gjithë të afërmit që kishin mbërritur për ngushëllim. Ndërkohë miq të familjes nuk kanë dashur të flasin për kamerat.
33-vjeçarja Dhurata Saliaj u arrestua mbrëmjen e së premtes nga uniformat blu të kryeqytetit. Në deklarimet para hetuesve ajo ka treguar se ish-bashkëshorti Kudret Saliaj e ka kërcënuar disa herë se do ta vriste. Ndër të tjera ka rrëfyer se sa herë që tentonte të kontaktonte me fëmijët, ai i shkonte në shtëpi duke e kërcënuar. Sipas Dhuratës, ishte mamaja e saj, Manushaqja, e cila i ka dalë përpara dhe e ka pritur sa herë që vinte. Ndër të tjera, 33-vjeçarja ka thënë se e ëma kishte marrë urdhër mbrojtje për një vit për shkak të kërcënimeve nga Kudreti.
Dhurata Saliaj është dënuar me 2 vite burg për veprën penale “Dhunë në familje”. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar asaj i ulet 1/3 e dënimit dhe përfundimisht gjykata vendosi 1 vit e 4 muaj burg. 33-vjeçarja ka bërë ankim në apel. Ajo u kallëzua nga ish-bashkëshorti dhe të afërm të tij se kishte dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht fëmijët e saj të mitur. Edhe gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor fëmijët nuk kanë pranuar që të rrinin me Dhuratën.
Kudret Saliaj u ekzekutua nga ish-vjehrri, Mexhit Picari, në një lokal pranë Gjykatës Civile pasi kishin seancën e radhës të divorcit me Dhuratën./Klan News