U zunë për një gotë raki, polici i FNSH dënohet me 6 vite burg! Qëlloi me armë djalin e xhaxhait
Flamur Karaj, efektivi i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë është dënuar nga gjykata e Tiranës për akuzën e “Vrasjes me dashje” të mbetur në tentativë, ndaj djalit të xhaxhait.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 3 qershor 2019 në fshatin Dors, ku Enver Karaj u qëllua me armë në oborrin e shtëpisë së efektivit të policisë Karaj, pasi të dy së bashku ishin konfliktuar për një gotë raki.
Flamur Karaj e qëlloi me armën e shërbimit kushëririn me tij, ndërkohë pas krimit shkoi në repart dhe u dorëzua.
Pak ditë më parë gjykata e Tiranës vendosi të dënojë policin Karaj me 9 vite burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai është dënuar përfundimisht me 6 vite heqje lirie.
Karaj në sallën e gjyqit ka shprehur pendesë, ndërsa kushëriri i tij Enver Karaj që mbeti i plagosur në fytyrë ka deklaruar se janë pajtuar.
Gjatë procesit gjyqësor Flamur Karaj deklaroi se: ”shkuam në fshat me nusen tek shtëpia e vjetër, aty erdhi Enveri (kushëriri). E qërasa me një gotë raki. Kërkoi sërish por i thash nuk jetojmë këtu, e nuk kam më. Ai filloi të më ofendojë dhe më ka goditur disa herë me dërrasë. U mbrojta, tentova ta largoj, por nuk munda. Në atë moment nxora armën. Jam i penduar për veprën e kryer, por ai më sulmoi i pari”.
Pasi qëlloi mbi Enver Karaj me pistoletën e shërbimit, Flamur Karaj është vetëdorëzuar duke lënë në repart fillimisht pistoletën tip “Glock”, e më pas kishte shkuar së bashku me komandantin e tij të repartit, në komisariatin numër 6.
/Shqiptarja.com