“Udha e Paqes” Ballkan 2018, Rrokaj: Të përqafojmë dhe çmojnë kulturat e njëri-tjetrit
Nga Shezai Rrokaj
***
Udha e Paqes, Ballkan 2018
Të nderuar pjesëmarrës në këtë veprimtari, e cila është në vijim të një projekti global dhe ka si qëllim promovimin e paqes dhe prosperitetit anembanë botës për eleminimin e problemeve dhe konflikteve të ndryshme të nxitura nga dallimet etnike, fetare, racore etj.
Udha e Paqes është një projekt ndërkombëtar i Federatës së Paqes Universale, i organizuar në mbi 120 vende të botës, që mbledh njerëzit së bashku, duke synuar krijimin e një kulture universale të paqes nëpërmjet edukimit, sportit, artit, medias, shërbimit në komunitet, vullnetarizmit përtej dallimeve etnike, fetare, kulturore, racore.
Kjo maratonë « pa kufij » në Ballkanin Perëndimor bazohet në idenë e Autostradës Botërore të Paqes që është lançuar fillimisht nga Reverendi Mun dhe bashkëshortja e tij, dr. Hak Xha Han Mun, propozuar gjatë konferencës së dhjetë mbi unitetin e shkencave në vitin 1981, si një mënyrë për të arritur paqen botërore.
Siç dihet, Ballkani është produkt i historisë së vet. Popujt tanë kanë ndarë me njëri-tjetrin si të mirat që vijnë prej bashkëjetesës dhe të këqijat që vijnë prej urrejtjes së ndërsjellë dhe prej kësaj përvoje shekullore duhen adresuar edhe sfidat për të ndërtuar të ardhmen e përbashkët mbi parimet e bashkëjetesës dhe të përfitimit të ndërsjelltë.
Por, megjithë hapat përpara, të bëra nga qeveritë dhe shoqëritë tona, ende nuk ka një zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme për tejkalimin e ndarjeve etnike në rajon dhe se qarqe politike të caktuara vazhdojnë të keqpërdorin popujt nën ombrellën e nacionalizmit për qëllime të tyre pragmapolitike.
Jemi të bindur se vetëm një Ballkan që jeton në harmoni dhe është pjesë e Bashkimit Europian është rruga dhe vizioni që kemi zgjedhur të ndjekim. Kjo rrugë nuk është e lehtë dhe kërkon shumë përpjekje dhe përkushtim nga të gjithë, dhe suksesi është i garantuar nëse të gjitha shtetet me institucionet e tyre punojnë së bashku për të adresuar sfidat, duke ndërtuar konsensus për çështjet e interesit të përbashkët.
Për këtë proces të gjitha shtetet e Ballkanit duhet të përqafojnë dhe të çmojnë kulturat e njëri-tjetrit, duhet të bashkëpunojnë fuqimisht me njëri-tjetrin për prosperitet dhe zhvillim të përbashkët. Shoqëritë e emancipuara dallohen prej faktit se ato ngrihen mbi mëritë, mbi paragjykimet, mbi ndasitë që mund të shfaqen në kontekste të caktuara. Ato guxojnë të shohin përpara në rrugën e integrimit dhe të respektimit të ndërsjellë.
Historia na mëson se ilaçi shërues i bashkëjetesës së të gjitha qytetrimeve ka vetëm një trinom: dialog-edukim-integrim. Paqja dhe harmonia nuk arrihet vetëm duke e kërkuar atë nga të tjerët, apo duke i bërë përgjegjës të tjerët për mosarritjen e saj. Ajo fillon nga vetja, nga një vision realist mbi të vërtetat e ndërsjellta, duke mos i deformuar ato, duke ofruar dashuri në vend të urrejtjes, tolerancë në vend të intolerances, integrim në vend të përçarjes, bashkëjetesë në vend të izolimit, vlerësim për fqinjin e jo përçmim për të.
Por mbi të gjitha, duhet të heqim dorë nga pengmarrja prej së shkuarës, nga nacionalizmi emocional e patriotizmi bosh. Bashkëjetesa nuk ndërtohet mbi modelin e nacionalizmit provincial ballkanik të supremacisë së popujve, të gjuhëve dhe të kulturave të tyre. Paragjykimi i ndërsjellë, ndjenjat e ksenofobisë, mbivlerësimi i vetes, duke rrënuar imazhin e tjetrit, krijojnë presmisa për t’i shtyrë popujt drejt nacionalizmit të sëmurë, gjuhës së urrejtjes dhe izolimit.
Ndaj edhe «Udha e Paqes Ballkan», synon të bashkojë të rinj, parlamentarë, Ambasadorë për Paqen, nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor bashkë me vende të tjera të botës për të udhëtuar së bashku në maratonën e paqes, duke dhënë mesazhin e paqes, bashkëjetesës, të pajtimit dhe të prosperitetit të përbashkët të popujve tanë në Ballkan. Aktiviteti përfshin Shqipërinë, Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë, Serbinë dhe do të pëmbyllet në Bosnjë-Herzegovinë.
Mesazhi i është është për të gjetur mjetet dhe strukturat të nevojshme për trajtimin e sfidave të integrimit me të cilat ballafaqohet bashkëjetesa e popujve, të kulturave dhe traditave të ndryshme të vendeve tona. Kjo gjë kërkon krijimin e mundësive gjithmonë e më të mëdha për dialog dhe bashkëpunim për të mirën e të gjithëve.

KOHA JONË SONDAZH

