“Udha – një gjak, një gjuhë, një komb” na çon në shtigjet ku kaloi Lorik Cana dhe Arbër Agalliu
Dashuria e Lorik Cana për atdheun ka qenë gjithmonë e fortë. Ndërsa dikur ai e shfaqte atë në fushën e gjelbër, pamë një tjetër manifestim të dashurisë për kombin dhe shqiptarët, këtë herë përmes një dokumentari emocionues.
Në Tiranë u shfaq premiera e dokumentarit “Udha – një gjak, një gjuhë, një komb”, një cikël me 6 seri ku protagonistë janë Lorik Cana dhe Arbër Agalliu. Ky projekt na çoi në një udhëtim tek arbëreshët në Itali, duke na treguar lidhjen e thellë të tyre me Shqipërinë dhe ruajtjen e identitetit kombëtar përmes brezave.
Me prezencën e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, z. Hajrulla Çeku, në kuadër të Javës Kulturore Kombëtare, ndamë lajmin e gëzueshëm për nisjen e projektit të rëndësishëm të Muzeut Arbëresh në jug të Shqipërisë, në brigjet e Detit Jon!
Ky muze do të jetë një simbol i ruajtjes dhe pasurimit të trashëgimisë kulturore të arbëreshëve dhe një pikë referimi për të ardhmen e lidhjes mes shqiptarëve dhe komunitetit arbëresh.
Në pranverën e vitit të ardhshëm, MEKI do të organizojë një cikël shkëmbimi kulturor të quajtur “Ditët Kulturore Arbëreshe” për të njohur e promovuar traditat arbëreshe!