“Udhëtimi me charter 120 mijë euro”, Rama jep ”intervistë” për PD: Bileta ekonomike ka kushtuar 345 euro
Kryeministri Edi Rama është i njohur si politikani që di të prodhojë lajm me çdo lëvizje të tij. Këtë herë ai ka dhënë një ”intervistë” për Partinë Demokratike. Kreu i qeverisë i është përgjigjur të gjitha pyetjeve dhe akuzave të ardhura nga deputetja Oriola Pampuri. Opozita akuzon kreun e qeverisë se ka bërë së fundmi një udhëtim charter luksoz me paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe ka udhëtuar në Evropë me një charter që vetëm për karburantin janë paguar 120 mijë euro.
Oriola Pampuri: Rama ka udhëtuar me charter privat, jo për të zgjidhur ndonjë hall të shqiptarëve por për qejfet e veta. Edi Rama harxhon paratë e taksave të shqiptarëve.
Në fakt jo, unë jam i pari kryeministër në këtë vend që udhëtimet e mia shumë të rralla private me familjen, nuk i bëj kurrë me shpenzimet e shtetit.
Oriola Pampuri: A përdore charterin privat për të dhënë intervistë per ”Manager Magazine”?
Jo, kam përdorur biletë vajtje-ardhje, ulëset ekonomike të Lufthanses, së bashku me gruan dhe djalin e vogël.
Oriola Pampuri: Sa para ke shpenzuar vetëm për charterin në këtë udhëtim luksi?
Bileta ekonomike e Lufthanses ka kushtuar 345 euro.
Oriola Pampuri: Kush ka firmosur për udhëtimet e tij? Kush i ka paguar ato?
Mesatarja vjetore e shpenzimeve për udhëtimet e mia zyrtare, të cilat paguhen nga fondi i Kryeministrisë, është më e ulet sesa mesatarja vjetore e shpenzimeve të paraardhësve të mi, për arsyen e thjeshtë se ata udhëtonin në business class, ndërsa unë kam udhëtuar thuajse tërësisht në ekonomik, me përjashtim të ndonjë rasti të veçante, e njëjta gjë edhe për ministrat. Qysh prej vitit 2020, kur kishim presidencën e OSBE, u bë një marrëveshje me kompaninë ”Air Albania”, dhe shpenzimet për vitin 2021 ishte nën mesataren e viteve të mëparshme.
Oriola Pampuri: Vetëm për karburantin e një udhëtimi qejfi të Edi Ramës, harxhohen 120 mijë euro nga paratë e shqiptarëve.
Sasia më e lartë vjetore e shpenzimeve për udhëtimet e mia zyrtare ka qenë 4.623.089 lek në vitin 2014. Ndërsa shifra 120 mijë euro karburant për fluturim privat, është produkt i të njëjtës aritmetike fantastiko-shkencore, që nga 1958 ulëset e Pallatit të Kongreseve nxorri 5004 delegatë. Po t’i shumëzosh këta delegate me 30 dhe pastaj të zbresësh 30, dalin fiks 120 mijë euro karburant për 7×7 brava, baraz 42 fluturime.