Udhëzimi i ri/ Sa do të kushtojë rivlerësimi i banesës? Publikohet tarifa, aplikimet në Agjencinë e Kadastrës deri me 30 shtator 2020!

Të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi, pasuri të paluajtshme (tokë dhe/ose ndërtesë) të regjistruar ose që fitojnë pronësinë dhe e regjistrojnë atë deri në datën 30 shtator 2020, kanë të drejtë që brenda këtij afati të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut.

Këtu përfshihen dhe rastet, kur për pasurinë e paluajtshme është bërë edhe më parë rivlerësimi.

Pas miratimit të ligjit, ka hyrë në fuqi edhe udhëzimi i përbashkët i ministrisë së Financave dhe Agjencisë Shtetërore të Kadastrës ku parashikohet se individi mund të zgjedhë vullnetarisht nëse rivlerësimin e pasurisë do ta bëjë ASHK-ja apo një ekspert i vlerësimit të pasurive, i licencuar nga institucionet përkatëse.

Për të përfituar nga rivlerësimi, nëpërmjet pasqyrimit të tij në regjistrin e pasurive të paluajtshme, individi duhet të paguajë më parë tatimin e rivlerësimit (3% e bazës së tatueshme) dhe tarifën e shërbimit. Në rast se individi ka në pronësi më shumë se një pasuri të paluajtshme dhe do të bëjë rivlerësimin e secilës prej tyre, procedura e rivlerësimit është individuale për secilën prej këtyre pasurive” përcaktohet në vendim.

Tarifa për shërbimin e rivlerësimit për individët, pranë ASHK-së, është 1 mijë e 200  lekë.

Pas kryerjes së rivlerësimit për individët, sipas këtij udhëzimi, në rastet e kalimit të së drejtës së pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme të rivlerësuar, tatimi llogaritet sipas normave në fuqi mbi fitimin e realizuar, si diferencë e vlerës në momentin e kalimit të së drejtës së pronësisë, me vlerën e rivlerësuar, për të cilën është paguar tatimi. Nëse kjo diferencë është negative, individi nuk paguan tatim.

Aplikimet për rivlerësim të pasurive të cilat paraqiten pranë ASHK-së, brenda 30 shtatorit 2020, por nuk janë përfunduar, procedohen edhe pas kësaj date, nëse tatimi i rivlerësimit është paguar brenda datës së mësipërme.

SCAN

SHKARKO APP