UEFA: Kosova e humbet me rezultat zyrtar ndeshjen e braktisur të futbollit me Rumaninë
Ndeshja Rumani-Kosovë mbaroi 0-0, por UEFA vendosi sot ti jap fitoren Rumanisë!
Organi drejtues i futbollit evropian, UEFA, tha të mërkurën se Rumania është fituese ndaj Kosovës me rezultat 3 me 0, pasi ndeshja e futbollit në Ligën e Kombeve në Bukuresht, u braktis nga skuadra e Kosovës për shkak të thirrjeve pro Serbisë nga tifozët vendas.
Autoritetet rumune mohuan të ketë pasur thirrje të tilla dhe akuzuan skuadrën e Kosovës për braktisje “të paramenduar” të ndeshjes.
Federata e Futbollit të Kosovës tha ndërkaq se e kishte paralajmëruar vazhdimisht UEFA-n për provokimet e mundshme nga tifozët e Rumanisë.
UEFA hapi procedurë menjëherë pas ndeshjes dhe të mërkurën tha se Federata e Futbollit të Kosovës do të paguajë një gjobë prej 6 mijë eurosh për sjelljen e pahijshme të skuadrës së saj.
Federata Rumune e Futbollit (FRF) u gjobit me 128,000 euro për disa akuza përfshirë sjelljet diskriminuese dhe sjellje të pahijshme nga ekipi.
FRF-ja gjithashtu është urdhëruar të luaj ndeshjen e radhës në shtëpi pa tifozë, për shkak të sjelljes raciste dhe diskriminuese të mbështetësve të skuadrës.
Federata Rumune e Futbollit u gjobit nga UEFA vitin e kaluar për shkak të thirrjeve pro Serbisë dhe shpalosjes së një mbishkrimi “Kosova është Serbi” nga tifozët gjatë një ndeshjeje kualifikuese për Kampionatin Evropian 2024 kundër Kosovës.
Nuk pati një reagim të menjëhershëm nga Federata e Futbollit të Kosovës, e cila më parë ka paralajmëruar se do të ankohet më tej nëse UEFA vendos në favor të skuadrës rumune.
Kosova gjithashtu u gjobit muajin e kaluar për ndërprerjen e një ndeshjeje mes dy palëve në shtator, kur tifozët e saj ndezën dhe hodhën fishekzjarrë, hynë në fushë dhe fishkëllyen gjatë himnit kombëtar rumun.
Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 dhe është njohur nga më shumë se 100 vende të botës, por jo nga Rumania./VOA/
KOHA JONË SONDAZH

