Ukraina anulon dekretin për emërimin e ambasadorit në Shqipëri

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko anuloi, më 18 korrik 2015, si “të parealizuar” dekretin nr. 762, datë 28 dhjetor 2012, të paraardhësit të tij Viktor Janukoviç, për emërimin e Volodymyr (Vladimir) Poberezhny­t si ambasador të Ukrainës në Shqipëri, shkruan agjencia e lajmeve “Dyrrah” që i referohet zyrës së shtypit të kreut të Kievit (shih faksimilen e parë, dekreti në gjuhën ukrainase).

“Dy zyberë në një derë” Gjithsesi, diplomacia e Shqipërisë dhe Ukrainës, si ish-vende komuniste, kanë probleme banale protokollare. Kështu në sajtin e Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) të Shqipërisë në Listën Diplomatike e vitit 2015, përditësuar në muajin maj të këtij viti, si përfaqësues i Ukrainës figuron “His Excellency Mr. Volodymir Poberezhny Agree /Ambassador Extraordinary and Plenipotentiary”, me adresë: “2, Stephanou Delta Str. 152 37 Filothei – Athens, Greece”, pra rezident në Greqi. Kurse sajti i ambasadës së Ukrainës në Greqi ka si përfaqësues në Greqi një tjetër Volodymyr. Me mbiemër Shukrov: “H.E. Mr. Volodymyr Shkurov, Ambassador Extraordinary and Plenipotentiary of Ukraine to the Hellenic Republic”, por me të njëjtën adresë: “2, Stephanou Delta Str. 152 37 Filothei – Athens” (shih dy faksimilet). Shkëlqesia e tij Shkurov ka që në vitin 2010 si ambasador i Ukrainës, rezident në Athinë dhe që mbulon Tiranën. Këtu shkon përshtat dhe idioma popullore shqiptare: “Dy Zyberë në një derë”. Mospërputhjet Ndërkohë, në personelin e ambasadës, ka shumë mospërputhje emrash. Po përmendim vetëm dy raste. Siç shihet dhe në faksimile, në Listën Diplomatike të MPJ­së së Shqipërisë znj. Natalia Kosenko figuron si këshilltare politike (Mrs. Natalia Kosenko Counsellor Political Affairs), kurse në sajtin e ambasadës në Athinë të MPJ­së së Ukrainës, vendi i këshilltarit politik është vakant (Vacancy – Counsellor political issues), ndërsa znj. Natalia Kosento figuron si këshilltare e kulturës (Mrs. Natalia Kosenko – Counsellor cultural issues)! Dhe kështu me radhë. Nuk mund të hamendësohet dot pse ka kaq mospërputhje. “Dekreti i parealizuar”? Po banalitetit nuk i ka shpëtuar dhe administrata e Presidentit ukrainas: çfarë nënkuptohet me “dekretin e parealizuar” të paraardhësit tij Janukoviç, datë 28 dhjetor 2012, për caktimin e Poberezhny­t si ambasador në Shqipëri? Ka gjasa që Kievi kishte ndërmend të hapte ambasadë, rezidente në Tiranë, pa u mbuluar nga Greqia. Por kjo nuk bëhet e ditur. Nga ana tjetër MPJ e Ukrainës duhet ta njoftonte Presidencën e vet se në listën diplomatike të çuar në Tiranë figuron ende emri i Poberezhny­t. Info Më 29 prill 2014, Shpresa Kureta u emërua ambasadore rezidente e Shqipërisë në Poloni dhe ambasadore jorezidente në Estoni, Letoni, Lituani Ukrainë.

Nga janari 2015 biznesmeni me origjinë azerbajxhanase Shahin Omarov është konsull nderi i Shqipërisë në Harkiv të Ukrainës. Më 17 qershor 2015 në Harkiv u zhvillua një takim i Ambasadores së Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë të Shqipërisë në Ukrainë, Shpresa Kureta me përfaqësues të diasporës shqiptare në rajonet e Zaporozhjes dhe Odesës. Gjatë takimit Shpresa Kureta, si dhe Konsulli i Nderit i Shqipërisë në Harkiv Shahin Omarov u folën përfaqësuesve të diasporës mbi punën e bërë në gjashtë muaj që nga takimi i fundit. Një nga arritjet më të mëdha ishte përgatitja e dokumenteve për dërgimin e përfaqësuesve të diasporës në kurset e gjuhës shqipe në Universitetin e Tiranës, gjë që u bë e mundur në saje të marrëveshjes së nënshkruar në nivel Ministrish të Arsimit të të dy vendeve. Gjithashtu në takim u dekoruan përfaqësuesit më aktivë të diasporës, grupe folklorike dhe përfaqësues të administratave rajonale, ku jeton diaspora. 

SHKARKO APP