Ulet avioni në Rinas me 100 mijë vaksina kineze, por Rama mungon (VIDEO)

100 mijë vaksina kineze nga Turqia mbërritën këtë të enjte në Rinas. Ndryshe nga herët e tjera, kryeministri Edi Rama mungoi në aeroport. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e pranishme në Rinas, tha se pas dy javësh do të vijnë edhe 100 mijë doza të tjera.

”Imagjinoni çfarë do të kishte ndodhur nëse nuk do të ishte bërë kjo përpjekje madhore. Në rast se një shtet nuk është gati t’i marrë, një vend tjetër i merr. Ne arritëm që t’i merrnim dhe t’i kemi këtu. Tashmë na është shtyrë me 48 orë plani i vaksinimit sepse do kohën e vet dokumentacioni, inventari, etj. Pas dy javësh do të kemi edhe 100 mijë vaksina të tjera Sinovac. Nuk do ndalim derisa të jetë vaksinuar edhe qytetari i fundit”.

Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj tha se asgjë nuk do ta ndalojë objektivin për vaksinimin e 500 mijë shqiptarëve deri në qershor, ndërsa shtoi se javën që vjen, të hënën ose të martën, do të vijnë edhe 100 mijë doza të tjera të vaksinës kineze. Ai shtoi po ashtu se ka marrë autorizimin për të negociuar edhe për 50 mijë doza të vaksinës ruse, Sputnik V, që pritet të vijnë në javët në vijim.

”Asgjë nuk do na ndalojë të bëjmë 500 mijë vaksinimet për qytetarët shqiptarë. Numrat janë në rënie. Kemi filluar ta mundim atë flamë dhe plani i vaksinimit do të vazhdojë me shpejtësi. Ne jemi sërish duke negociuar me vende mike, me prodhues. Dje kemi marrë autorizimin nga Këshilli i Ministrave për të negociuar për 50 mijë vaksina ruse që do vijnë javët e ardhshme, ndërsa javën e ardhshme, të hënën ose të martën vijnë 100 mijë doza të tjera të vaksinës kineze”, tha Ahmetaj.

SHKARKO APP