Ulet numri i të shtruarve tek Infektivi, por ka më shumë pacientë në terapi intensive
Ministria e Shëndetësisë raporton se situata në Spitalin Infektiv, ku po trajtohen pacientët me koronavirus, vijon të jetë e përkeqësuar.
Ndonëse gjatë 24 orëve të fundit është ulur numri i të shtruarve në spital, duke rënë në 76 nga 82 që ishte një ditë më parë, por nga ana tjetër është rritur numri i pacientëve në terapi intensive.
MSH bën me dije se 14 pacientë ndodhen në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar. Gjithashtu, shqetësues është edhe numri i rasteve aktive me COVID-19, që kap shifrën e 894 personave.
“Ndërkohë që në spitalin infektiv aktualisht po trajtohen 76 pacientë, 14 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar. Lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 33 qytetarë, duke e çuar në 1250 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë janë aktualisht 894 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet të gjithë qytetarëve të respektojnë masat e vendosura, ndërsa bizneset të zbatojnë protokollet e miratuara të sigurisë”, thuhet në njoftimin e MSH.