“Unaza e Re”, Orjola Pampuri: Babëzia e kësaj qeverie po e nxit vendin drejt kaosit

Intervistoi: Jonida Halili

Deputetja e Partisë Demokratike, Orjola Pampuri në një prononcim për “Koha Jonë” ka deklaruar se protestuesit e “Unazës” po kërkojnë një të drejtë legjitime, por përgjigjja që kanë marrë mbrapsht nga maxhoranca është e paprecedentë. “Rama u është përgjigjur jo si përfaqësues e mbështetës i qytetarëve dhe nevojave të tyre, por si armik e urryes i qytetarëve të vendit të tij”, shprehet Pampuri.

Qytetarët sot po paguajnë aferat korruptive e koncesionet e këtij kryeministri i cili duke bërë bejte e karagjozllëqe mbulon abuzimin galopant me buxhetin e shtetit në kurriz të qytetarëve. Shqiptarët po paguajnë çmendurinë me check-up, koncensionet, tenderat, ndërtimet, kontratat korruptive, dhe PPP, dhe rruga është xhevahiri i fundit i Narcizit në krye të qeverisë shqiptare. 40 milion euro për 2.2 km rrugë, është rasti i pashembullt në asnjë vend të ballkanit e Europës”, thotë më tej deputetja e PD.

E pyetur nëse do të ketë protestë finale, që siç opozita ka deklaruar, bashkë me shqiptarët të rrëzojnë kryeministrin, deputetja Pampuri shprehet: Çdo akt mospërfillës, imponues dhe i dhunshëm do të marrë përgjigjen e merituar nga qytetarët e këtij vendi, durimi i të cilëve me këtë qeveri duhej t’ju kish sosur me kohë.

Prej tre javësh, banorët e Astirit janë në rrugë. Sa të drejtë kanë banorët në kërkesat e tyre dhe si e shikoni qendrimin e qeverisë, konkretisht të kryeministrit Rama të shprehur në Kuvend për këtë çështje?

Prej tre javësh tashme protestuesit jane ne rruge duke protestuar. Mes qytetareve janë fëmijë, gra e të moshuar. Po kërkojnë një të drejtë legjitime, sic është mbrojtja e shtëpive, e për to kërkojnë dëmshpërblim me vlerën e tregut. Mes tyre ka shtëpi thuajse gjysma të legalizuar, një pjesë tjetër në proces legalizimi e të tjerat prej më shumë se 20 vitesh të ndërtuara, dhe kanë të drejtën kushtetuese për tu mbrojtur e perfituar dëmshpërblim të plotë. Janë qytetarë të cilët me mund kanë ndërtuar shtëpitë e jetën e tyre në kryeqytet prej vitesh, kanë paguar taksa rregullisht, detyrimet e ujit, energjisë elektrike e janë qytetarë të rregullt të këtij vendi.

Ata kanë kërkuar takim me deputeten e zonës, e cila nuk u është përgjigjur në asnjë çast, kanë kërkuar takim me kryebashkiakun e kanë protestuar paqësisht para Bashkisë, e përgjigjia ishte ofenduese, duke i etiketuar si shpellarë, kanë thirrur ministrin Gjiknuri, por ai i ka cilësuar si kërma, kanë kërkuar mbështetje nga maxhoranca, përgjigjja e së cilës ishte se nëse i kanë shijuar në 20 vite, kaq do të ishte mjaftueshëm, e paprecedent.

Ndërsa qershia mbi tortë ishte kryeministri me fjalimin prej bejtexhiu në parlament i cili cilesoi disa emra në dialekte të ndryshme duke u tallur në mënyrë delirante me hallin e madh të këtyre qytetarëve.

Kryeministri Rama si argument kryesor për refuzimin e kerkesave të banorëve solli intimidimin e shqiptarëve, se dëmshpërblimin e banorëve do ta paguajnë shqiptarët nga xhepat e tyre. Po në rast se kjo çështje shkon në Strasburg kush do ta paguajë faturën e banorëve? Sipas jush si zgjidhet kjo çështje, pa përfunduar në dyert e gjykatave dhe duke shmangur përplasjet fizike mes shtetit dhe banorëve?

Kryeministri u është përgjigjur jo si përfaqësues e mbështetës i qytetarëve dhe nevojave të tyre, por si armik e urryes i qytetarëve të vendit të tij.

Nëse dëmshpërblimin e një projekti abuzues e korruptiv me një garë fiktive e tender fiktiv dhe me një shifër marramendëse, mund të paguajë fare mirë të gjithë qytetarët të ndërtojë rrugët e t’i mbeten para për të përfunduar edhe projekte të tjera, por qytetarët sot po paguajnë aferat korruptive e koncesionet e këtij kryeministri i cili duke bërë bejte e karagjozllëqe mbulon abuzimin galopant me buxhetin e shtetit në kurriz të qytetarëve. Nga xhepat e tyre shqiptarët po paguajnë çmendurinë me check-up, koncensionet, tenderat, ndërtimet, kontratat korruptive, dhe PPP, rruga është xhevahiri i fundit i Narcizit në krye të qeverisë shqiptare. 40 milion euro për 2.2 km rrugë, është rasti i pashembullt në asnjë vend të ballkanit e Europës.

Askush prej atyre banorëve nuk është kundër zhvillimit të kryeqytetit, kundër ndërtimit të rrugëve, kundër së bukurës për kryeqytetin e për të gjithë Shqipërinë, por së pari me grupin e ekspertëve vlerësohen interesat e qytetarëve, dhe zgjidhet alternative më e mirë me qëllim zgjidhjen e strehimit për të gjithë qytetarët e më pas zhvillimin e qytetit. Është i vetmi aks ky, i unazës në të cilin qytetarët po përballen për mungesë shpërblimi me vlerën e tregut. Në të gjitha akset e mëparshme banorët janë dëmshpërblyer të gjithë.

Ndërsa sot banorët po masakrohen si të ishin armiq të këtij, arrestohen të mitur, arrestimi i një djali trembëdhjetëvjeçar ishte i pafalshëm, në vend që të reflektonin për pjesëmarrjen e fëmijëve në protestë, i arrestojnë ata. Dhuna makabre e ushtruar ndaj shtatëmbëdhjetëvjeçarit ishte një akt Hitlerian kundrejt një adoleshenti i cili hedh një shashkë në një protestë, normale sikurse në çdo vend të Europës, paralelisht kemi shembullin e Parisit, e askush nuk po dhunohet, ndërsa ketu hakmarrja e një të marri po merr në qafë policë e qytetarë, babëzia e kësaj qeverie për të abuzuar me paratë e këtij vendi, po e nxit vendin drejt kaosit pa kthim deri në rrëzimin e tyre.

Opozita dhe të gjithë qytetarët e këtij vendi do të jenë në krahë të atyre qytetarëve deri në zgjidhjen e problemit të tyre, deri në anulimin e këtij projekti korruptiv dhe një kauzë paralele është lirimi i të gjithë të arrestuarve të pafajshëm të cilët në një vend demokratik janë të lirë të protestojnë për të mbrojtur banesat e tyre të ndërtuara me mund.

Protesta e banorëve të zemëruar, pati efekt tek kryeministri Edi Rama. Po nëse Opozita e rrethon atë në Kryeministri, a mendoni se do të tërhiqet? Do të ketë protestë finale, që opozita bashkë me shqiptarët të mos ikin nga bulevardi pa rrëzuar kryeministrin?

Sigurisht reagimi qytetar është ai i cili në rastet që dhunohet e neglizhohet nga qeveria merr në dorë situatën për ndryshimin e madh. Në rastin e Shqipërisë ku kryeministri që në krye të herës është shprehur që unë largohem kur dua unë e jo kur duan qytetarët, sigurisht duke i shtuar dhe detajin e rëndësishëm që kryeministër u bë me vota të blera, siç u theksua dhe nga raporti i OSBE/ODHIR, ku 20% e votave u blenë, pra në një rast të tillë janë qytetarët të cilët vendosin dhe përmbysin situatën. Çdo akt mospërfillës, imponues dhe i dhunshëm do të marrë përgjigjen e merituar nga qytetarët e këtij vendi, durimi i të cilëve me këtë qeveri duhej t’ju kish sosur me kohë.

 

 

SHKARKO APP