UNDP ndërton 2 shkolla nëpërmjet “BE për Shkollat” dhe mbështet 25 biznese të vogla në Lezhë

Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP në Shqipëri, Monica Merino dhe Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu nënshkruan sot protokollin e dorëzimit zyrtar të punimeve pranë bashkisë të shkollës 9-vjeçare & kopshtit “Fran Ivanaj” Ishull-Shëngjin, një objekt arsimor ku programi “EU4Schools” ka realizuar riparimin e shkollës dhe ndërtimin e kopshtit.

179 nxënës, 47 fëmijë dhe 17 mësues do të nisin javën e ardhshme vitin e ri shkollor në mjedise tërësisht bashkëkohore, më të sigurta dhe dinjitoze për zhvillimin e procesit mësimor. Nga ky investim për të ardhmen përfitojnë rreth 8,100 banorë të komunitetit.

Ndërkohë, u zhvillua edhe një inspektim në kantierin e ndërtimit të shkollës 9-vjeçare “Gjergj Kastrioti” Lezhë, një tjetër objekt arsimor pranë kësaj bashkie që po rindërtohet falë “EU4Schools”, i cili parashikohet të përfundojë brenda këtij viti. 631 nxënës, 38 mësues dhe rreth 60 mijë banorë të komunitetit do të jenë edhe përfituesit e drejtpërdrejtë të kësaj ndërhyrjeje.

I financuar nga Bashkimi Evropian me 75 milion Euro dhe i zbatuar nga UNDP Albania, programi “EU4Schools” po ndërton objektet arsimore të së ardhmes! Në fokus të tij është rindërtimi apo riparimi i 64 objekteve arsimore në 11 bashkitë më të prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit, 2019, ku përfitues të drejtpërdrejtë janë rreth 25,000 fëmijë, nxënës e mësues.

Deri tani në kontekstin e këtij projekti kanë përfunduar 44 objekte arsimore, ndërsa 16 objekte të tjera janë aktualisht në proces rindërtimi apo riparimi. Gjithashtu, gjatë kësaj vizite në Lezhë, zhvilluam takime edhe me dy nga 25 biznese të vogla të prekura nga tërmeti i vitit 2019 dhe COVID-19, të cilët janë mbështetur për t’u ringritur nga UNDP. Nëpërmjet metodologjisë “In Motion”, UNDP po mbështet biznese mikro dhe të vogla në stabilizimin e kushteve ekonomike, duke i ndihmuar me grante për pajisje biznesi, modernizim të imazhit tregtar, si dhe këshillim në përmirësimin e aftësive menaxhuese dhe trajnime mbi biznesin, financën, marketingun digjital etj.

“In Motion” është pjesë e projektit “Rimëkëmbja Ekonomike dhe Qëndrueshmëria” (ERR), zbatohet nga UNDP dhe financohet nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe Qeveria Hollandeze.

SHKARKO APP