Uniformat e policisë, PD: Po favorizohet klienti i qeverisë me tenderin 30 milionë dollarësh
Partia Demokratike ka denoncuar gjatë ditës së sotme një farë sipas tyre korruptive me tenderin prej 30 milionë dollarësh të uniformave të policisë së shtetit.
“Tenderi prej 30 milionë eurosh i Ministrisë së Brendshme për uniformat e policisë, aferë korruptive, shkurtohet afati i tenderit në kundërshtim me ligjin. Favorizohet klienti i qeverisë”, tha për mediat drejtuesja e departamentit antikorrupsion në PD, Lealba Pelinku
Ja deklarata e plotë e Partisë Demokratike
Kur bëhet fjalë për abuzimin me miliona euro, Sandër Lleshaj nuk ndryshon nga paraardhësit e tij Saimir Tahiri apo Fatmir Xhafaj.
Gjuetia e preferuar e Ministrave të Brendshëm të Edi Ramës është tenderi 30 milionë euro me uniformat e policisë.
Kësaj rradhe, mënyra e gjetur për të vjedhur është paracaktimi i fituesit përmes shkeljes së procedurave ligjore për rregulla të barabarta loje dhe konkurencë të drejtë në treg.
Për të përjashtuar garën në tenderin e hapur pak ditë më parë, Ministria e Brendshme ka përgjysmuar afatin minimal të parashikuar në ligj për t’u bërë pjesë e tenderit dhe për të plotësuar kushtet e tij.
Ligji i Prokurimit Publik parashikon një afat minimal 52 ditor, por Sandër Lleshaj, në shkelje të ligjit, ka vendosur shkurtimin e afateve për ata që duan të konkurojnë në 24 ditë.
Ky është një afat kohor i pamjaftueshëm për të përmbushur detyrimin ligjor që dikton kushte të barabarta gare dhe konkurence.
Shkelja e të tilla garancive ligjore është tregues direkt se kemi të bëjmë me një aferë korruptive. Kemi të bëjmë me një pazar mes atij që drejton Ministrinë e Brendshme dhe klientit të paracaktuar, për favorizimin e të cilit ngushtohen ditët e garës dhe shmangen konkurentët e tjerë.
Shkelja flagrante e rregullave në këtë tender 30 milionësh të uniformave të policisë tregon se kushtet ku operon sot prokurimit publik në Shqipëri janë kushtet e një pazari mafioz. Kur dy banda mbyllin pazarin, siç ka ndodhur në rastin e tenderit të uniformave, askush nuk duhet lejuar të ndërhyjë e të prishë pazarin.
Gjithçka ndodh në kurriz të qytetarëve shqiptarë, të cilët vidhen hapur nga një qeveri që ka ardhur në pushtet me vota të vjedhura me bandat dhe krimin e organizuar.
Partia Demokratike do ta ndjekë me vëmendje këtë tender dhe do të denoncojë çdo akt korruptiv që fut duart e Ministrit të Brendshëm apo të kujtdo tjetër në 30 milionë euro para publike.