Unioni i Agrobiznesit Shqiptar: Kandidatët të paraqesin ide për zhvillimin e bujqësisë

Unioni Kombëtar i Agrobiznesit Shqiptar ka nxitur të mërkurën të gjithë kandidatët për kryetarë të 61 bashkive “të paraqesin në programet e tyre elektorale idetë dhe projektet për zhvillimin e agrobiznesit dhe prodhimit bujqësor në vend”. 

Deklarata e plotë:

 

Unioni Kombëtar i Agrobiznesit Shqiptar nxit të gjithë kandidatët e të gjitha partive politike për kryetarë të 61 bashkive të vendit, të cilët do të konkurojnë në zgjedhjet e 21 qershorit 2015, që të paraqesin në programet e tyre elektorale idetë dhe projektet për zhvillimin e agrobiznesit dhe prodhimit bujqësor në vend.

Unioni Kombëtar i Agrobiznesit Shqiptar u bën thirrje kandidatëve për kryebashkiakë që krahas dëgjimit të halleve të konsumatorëve dhe kërkesave të tregtarëve dhe agropërpunuesve, t'i kushtojnë vëmendje nevojave dhe kërkesave të prodhuesve të prodhimeve bazike që familjet shqiptare vendosin çdo vakt ushqimor mbi tavolinë.

Duke sjellë në vëmendje se gjysma e popullsisë së vendit, që jeton në zonat rurale, po vuan gjithnjë e më shumë largimin e krahut më të ri të punës, Unioni Kombëtar i Agrobiznesit Shqiptar e konsideron çështje urgjente kombëtare zbatimin e politikave mbështetëse dhe nxitëse të prodhimit vendas.

Në mirëkuptim të njohjes së mëtejshme të realitetit të ri administrativ nga kandidatët, Unioni Kombëtar i Agrobiznesit Shqiptar nuk qorton askënd prej tyre që mund të ketë qasje joefektive  për zgjidhjen e problemeve të agrobiznesit dhe të fermerëve, por ndërkohë u sugjeron organizatave monitoruese të zgjedhjeve, vendase dhe ndërkombëtare, të monitorojnë dhe të përfshijnë në raportimet e tyre se çfarë rëndësie dhe çfarë vendi do të zënë problemet e zonave rurale në fushatën zgjedhore të kandidatëve.

Nga ana tjetër, Unioni Kombëtar i Agrobiznesit Shqiptar u bën thirrje banorëve të zonave rurale: – Refuzoni, qartë dhe prerë, kandidatët që me sjelljen, veprimet dhe mosveprimet e tyre, ju trajtojnë si qytetarë të dorës së dytë të bashkive të vendit!

Unioni Kombëtar i Agrobiznesit Shqiptar inkurajon fermerët dhe prodhuesit e tjerë të marrin pjesë masivisht në takimet e organizuara të të gjithë kandidatëve për kryebashkiakë, të paraqesin pa drojë dhe të argumentojnë kërkesat e tyre, si dhe të kërkojnë me këmbëngulje deklarime të qarta të kandidatëve mbi idetë dhe projektet e tyre për zhvillimin e bujqësisë dhe agrobiznesit.

SHKARKO APP