Universiteti i Durrësit pezullon një javë mësimin

Rektorati i Universitetit të Durrësit, përmes një deklarate për mediat, ka njoftuar pezullimin e mësimit për javën e ardhshme. Në një njoftim, thuhet se kjo masë u mor për shkak të situatës së vështirë ku ndodhen qytetarët e Durrësit. “Duke marrë parasysh kushtet e vështira në të cilat qytetarët ndodhen, humbjen e njerëzve të afërm si dhe ngarkesën e madhe psikologjike të studentëve, Rektorati i Universitetit “Aleksandër Moisiu” ka vendosur pezullimin e procesit mësimor për javën e ardhshme (2-6 dhjetor, 2019)”, thuhet në njoftim.

Në bazë të legjislacionit në fuqi për sigurinë në mjediset publike, Universiteti i Durrësit thotë se janë bërë verifikimet në të tre godinat Universitare dhe gjendja paraqitet pa probleme. “Stafi akademik dhe ai administrativ do të paraqiten për të vijuar punën rregullisht”.

“Ju ftojmë të vazhdoni të ndiqni komunikimet tona direkte në Facebook, Instagram, Ëebpage si dhe të monitoroni çdo ditë e-mailet personale. Inkurajojmë stafin dhe studentët të vijojnë veprat e mira në nevojë të qytetarëve. Qofshi mirë dhe mos harroni që harku i ndritshëm i ylberit do të shkëlqejë sërish”.

SHKARKO APP