Universiteti i Shkodrës pret studentët më 15 qershor, protokoll i veçantë për provimet

15 qershori është përcaktuar si dita e rihapjes së Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, për herë të parë pas pandemisë. Rektori Adem Bekteshi sqaroi protokollin që do të ndiqet.

Në 15 qershor universiteti “Luigj Gurakuqi” pritet të hapë dyert për të pritur studentët pas një ndërprerje më shumë se 2 mujore si pasojë e pandemisë Covid-19.

Rektori, Adem Bekteshi, zbuloi protokollin e leksioneve dhe provimeve.

Adem Bekteshi: Riprovimet dhe konsultimet gjatë kësaj periudhe janë vetëm për studentët e vitit të tretë bachelor, studentët që janë stazhierë të vitit të tretë bachelor dhe studentët e vitit të fundit master. Nga data 4 korrik deri me 23 korrik do të jenë provimet e semestrit të dytë, kjo periudhë mund të shfrytëzohet nga studentët e vitit të parë dhe vitit të dytë bachelor si dhe vitit të parë master për provimet online. Nga 24 korriku deri me 7 gusht është lënë për mbrojtjen e diplomave.

Rektori Bekteshi i ka bërë thirrje studentëve për regjistrimin në provimet që duan të mbajnë në mënyrë që të mos humbin vitin.

Adem Bekteshi: Periudha e regjistrimit për studentët e vitit të parë dhe të dytë do të jetë në fund të gushtit.

Ministria e Brendshme, ajo e Jashtme dhe e Arsimit do të njoftohen përmes një shkrese zyrtare me emrat e studentëve që vijnë nga rrethet si dhe nga trojet shqipfolëse që të mos kenë pengesa nga policia.

Adem Bekteshi: Studentët që për një arsye apo tjetër mund të humbin një datë provimi do të kenë mundësi në shtator ta rikuperojnë.

I pyetur  për kërkesën që një pjesë e pedagogëve kanë bërë për mos çelje të Universitetit pasi rrezikohet jeta e tyre dhe e studentëve,  Bekteshi tha se çdo hap i hedhur është bërë në konsultë të gjerë dhe prandaj është lënë kjo liri zgjedhje që të mos rrezikohet viti akademik.

SHKARKO APP