Universiteti i Tiranës në krah të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut: Duhet zgjidhje gjithëpërfshirëse
Universiteti i Tiranës ka dalë hapur në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët po protestojnë për të drejtën e tyre për mbajtjen e provimeve në gjuhën shqipe. Në një reagim zyrtar, institucioni dhe rektori Artan Hoxha theksojnë se përdorimi i gjuhës amtare në arsim dhe në vlerësimin profesional nuk është privilegj, por një standard i njohur ndërkombëtarisht dhe një element bazë i barazisë në shoqëritë shumëgjuhëshe. Universiteti i Tiranës thekson se mbështet çdo përpjekje që forcon të drejtat gjuhësore dhe garanton standarde të barabarta në arsim dhe në jetën publike, ndërsa u bën thirrje institucioneve përkatëse që të gjejnë zgjidhje të drejta dhe gjithëpërfshirëse.
Deklarata e plotë
Universiteti i Tiranës shpreh mbështetjen e plotë për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët po kërkojnë realizimin e një të drejte themelore: përdorimin e gjuhës së tyre amtare në proceset arsimore dhe profesionale. E drejta për t’u arsimuar dhe për t’u vlerësuar në gjuhën amtare nuk është privilegj, por një standard i njohur ndërkombëtarisht dhe një element thelbësor i barazisë reale në shoqëri shumëgjuhëshe. Kur studentët ndjekin studimet e tyre në një gjuhë të caktuar, është e drejtë legjitime që edhe vlerësimi përfundimtar profesional të bëhet në të njëjtën gjuhë.
Kërkesa e studentëve shqiptarë për të zhvilluar provimet shtetërore në gjuhën shqipe përfaqëson një aspiratë të drejtë për barazi, dinjitet dhe mosdiskriminim. Mosrespektimi i këtij parimi rrezikon të krijojë pengesa të panevojshme në zhvillimin profesional të tyre dhe të cenojë besimin në institucionet shtetërore. Universiteti i Tiranës mbështet çdo përpjekje që synon forcimin e të drejtave gjuhësore dhe garantimin e standardeve të barabarta në arsim dhe në jetën publike.
Ne inkurajojmë institucionet përkatëse që, në frymën e ligjit dhe të bashkëjetesës demokratike, të gjejnë zgjidhje të drejta dhe gjithëpërfshirëse. Respektimi i diversitetit gjuhësor nuk është vetëm detyrim ligjor, por edhe vlerë që pasuron shoqërinë dhe forcon kohezionin social në rrugën e integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian!
Ngjarja
Një numër i lartë studentësh, por edhe qytetarë të komunitetit shqiptarë, përfaqësues politikë, kanë mbushur sot rrugët e Shkupit. Ata kërkojnë që të bëjnë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, që nuk u lejohet, edhe pse Kushtetuta e njeh si të drejtën e tyre. Gjatë marshimit ata i janë drejtuar kryeministrit Hristijan Mickoski dhe ministrit të Drejtësisë Igor Filkov që të dorëzojnë dorëheqjen. Protesta e studentëve është mbështetur edhe nga Tirana zyrtare, duke bërë thirrje që të respektohet e drejta e e tyre Kushtetuese.
Protesta e studentëve në Maqedoninë e Veriut, Bardhi: Shqipja nuk negociohet
KOHA JONË SONDAZH

