“Universiteti Korçës, kaloi “vettingun” britanik”
Një raport i Agjencisë Britanike të Sigurimit të Cilësisë vlerëson me nota maksimale universitetin “Fan S. Noli” në Korçë. Dr. Ali Jashari, rektor i Universitetit në Korçë, në një intervistë për “Koha Jonë” tregon detaje të raportit britanik dhe domethënien e këtij vlerësimi për institucionin që ai drejton.
Universitetit të Korçës iu dërgua Raporti i Agjencisë Britanike të Sigurimit të Cilësisë dhe ju tashmë jeni të akredituar si institucion i arsimit të lartë. Çfarë përmban ky raport?
Akreditimi ka të bëjë me besueshmërinë e një institucioni të arsimit të lartë ndaj shoqërisë, sepse arsimi i lartë është një e mirë dhe përgjegjësi publike. Akreditimi është një detyrim ligjor i çdo institucioni të tillë, që buron nga Ligji i Arsimit të Lartë dhe nga Hapësira Evropiane e Arsimit të Lartë, pjesë e së cilës është dhe arsimi i lartë shqiptar qysh prej vitit 2003, kur Shqipëria u bë anëtare e Procesit të Bolonjës.
Në muajin shtator të vitit të kaluar, ne aplikuam për t’iu nënshtruar procesit të akreditimit, ose, siç quhet, vlerësimi i jashtëm, i cili filloi në janar të këtij viti dhe përfundoi në muajin prill. Qëllimi i procesit të vlerësimit të jashtëm ishte që të jepej një mendim i pavarur për shkallën në të cilën Universiteti i Korçës është i përgatitur dhe i angazhuar për të përmbushur me efektivitet dhe përgjegjshmëri kërkesat dhe standardet shtetërorë të sigurimit të cilësisë.
Grupi i Vlerësimit të Jashtëm (GVJ) përbëhej nga dy ekspertë, përfaqësues të Agjencisë Britanike të Sigurimit të Cilësisë dhe një ekspert shqiptar, përfaqësues i Agjencisë të Sigurimit të Cilësisë së Arsimit të Lartë në Shqipëri. Për të arritur në këtë gjykim, GVJ u mbështet në shqyrtimin e Raportit të Vlerësimit të Brendshëm, që u përgatit nga grupi i punës i vetë institucionit tonë, i cili iu dërgua GVJ dy muaj para vizitës në universitetin tonë, bashkë me dosjen që përmbante rreth 200 dokumente (në shqip dhe në anglisht), ku GVJ u mbështet për t’u njohur me strukturën, politikat dhe procedurat e drejtimit të institucionit, me natyrën e veprimtarive mësimore-shkencore, me strategjinë afatmesme dhe afatgjatë të zhvillimit të universitetit, me ndërkombëtarëzimin dhe mobilitetet, me projektet etj. Po kështu, GVJ u mbështet dhe në vlerësimit që dhanë në formë elektronike studentët dhe pedagogët për anketimet e bëra. Mund të përmend këtu një fakt: mbi 70 për qind e studentëve tanë iu përgjigjën elektronikisht anketës së GVJ. Gjatë vizitës dyditore, GVJ u njoh nga afër me gjendjen e universitetit për mjediset, infrastrukturën, laboratorët, bibliotekat, si dhe zhvilloi takime të veçanta me grupe të ndryshme interesi, si me rektorin, me drejtuesit e fakulteteve dhe të departamenteve, me stafin akademik dhe ndihmësmësimor, me studentë dhe ish-studentë, me përfaqësues të organeve vendore, të biznesit, drejtues të institucioneve në qarkun e Korçës etj.
Vlerësimi i jashtëm u krye për pesë fusha kryesore të veprimtarisë së universitetit: organizimi dhe menazhimi i institucionit; burimet njerëzore; kurrikula; mësimdhënia, vlerësimi dhe kërkimi; studentët dhe mbështetja e tyre. Vlerësimi i fushave dhe plotësimi i standrardeve për secilën bëhet sipas katër niveleve: plotësisht, kryesisht, pjesërisht dhe nuk plotësohen.
Nga të pesë fushat, Universiteti i Korçës u vlerësua “plotësisht” në katër fusha, ndërsa në një fushë u vlerësua “kryesisht”. Në fund të Raportit, Grupi i Vlerësimit të Jashtëm i rekomandon Agjencisë shqiptare të Sigurimit të Cilësisë së Arsimit të Lartë se “Universiteti i Korçës i përmbush plotësisht Standardet Shtetërore të Sigurimit të cilësisë”.
Nëse dikush pyet se çfarë është Universiteti i Korçës cila do të ishte përgjigja juaj?
Universiteti i Korçës u krijua me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 5, datë 7 janar 1992, mbi bazën e Institutit të Lartë Bujqësor të Korçës (1971-1992). Sot Universiteti përbëhet nga 4 fakultete: Fakulteti i Bujqësisë, Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë, Fakulteti i Ekonomisë, Fakulteti i Shkencave Natyrore dhe Humane. Fakultetet janë të organizuar në 14 departamente dhe 3 grupe mësimore-kërkimore. Universiteti ynë ofron 22 programe studimit të ciklit të parë: Administrim Biznesi në Marketing, Administrim Biznesi në Turizëm, Administrim dhe Politika Sociale, Agrobiznes, Agroushqim, Biologji-Kimi, Filozofi-Sociologji, Financë–Kontabilitet, Gjuhë Angleze, Gjuhë dhe Kulturë Frënge, Gjuhë-Letërsi, Histori–Gjeografi, Infermieri e përgjithshme, Inxhinieri Agronomike, Mami (Infermier), Matematikë-Informatikë, Matematikë–Fizikë, Menaxhim, Mësuesi për Arsimit Fillor, Mësuesi për Arsimin Parashkollor, Mjekësi e Bimëve dhe Hortikulturë, Teknologji Informacioni, si dhe 13 programe studimi të ciklit të dytë “master profesional”: Master Profesional në Histori-Gjeografi, Shkenca Sociale, Administrim Biznesi, Financë-Kontabilitet, Infermieristikë, Teknologji Informacioni, Turizëm, Zhvillim i Integruar Rural, Gjuhë Angleze, Gjuhë-Letërsi, Bilogji-Kimi, Administrim publik. Gjithashtu, zhvillohen 4 programe studimi të ciklit të dytë “master i shkencave”: në Filozofi Sociale, Financë , Mësuesi në Arsimin Fillor klasa I–V, Mjekësi e Bimëve dhe një program doktorate në fushën e bujqësisë: Hortikulturë e Qëndrueshme. Që nga viti 1992 deri në vitin 2016 në Universitetin e Korçës janë diplomuar 11997 studentë në ciklin e parë dhe 2546 studentë në ciklin e dytë.
Sa studentë ka sot Universiteti Korçës?
Aktualisht vazhdojnë studimet rreth 5200 studentë nga të gjitha rrethet e Shqipërisë. Në Universitetin “Fan S. Noli” japin mësim 160 pedagogë efektivë, 90 për qind e të cilëve janë me grada shkencore dhe tituj akademikë, si dhe një numër pedagogësh të ftuar, akademikë e profesorë nga Universiteti i Tiranës, Universiteti Bujqësor i Tiranës, Universiteti i Elbasanit, Universiteti i Shkodrës etj. Universiteti ynë ka një infrastrukturë moderne laboratorike, salla me videoprojeksion, salla videokonferencash, salla departamentesh, 4 biblioteka, mbi 300 kompjutera të lidhur me internet, mjedise të gjelbëruara etj. Çdo fakultet ka bibliotekën përkatëse, laboratorë dhe mjedise për zhvillimin e praktikave profesionale. Vetëm për studentët janë krijuar 120 poste interneti. Universiteti ka mjedise për mësim në 6 ndërtesa, me një sipërfaqe prej 16417 m2 , si dhe mjedise çlodhëse e të gjelbëruara në secilën prej godinave. Sot Universiteti “Fan S. Noli” është qendra më e madhe arsimore, kulturore dhe shkencore në rajonin e Korçës dhe më gjerë.
Çfarë mbetet për të bërë më mirë në të ardhmen?
Së pari, ne do të konsolidojmë dhe do të rritim cilësisht programet ekzistuese të studimit, do të bëjmë ristrukturimin e tyre sipas ligjit të arsimit të lartë dhe, që vitin e ardhshëm akademik, do të hapim programe të reja për t’iu paraprirë kërkesave të tregut të punës dhe nevojave të rajonit të Korçës, sidomos programe studimi 2-vjeçare me karakter profesional, mbi bazën e arsimit të mesëm, që përgatitin specialistë për drejtime të caktuara, të cilat janë përparësi e strategjisë kombëtare për arsimin e lartë. Së dyti, do të rritim cilësinë e mësimdhënies përmes kompetencave dhe rezultateve të të nxënit, si objektiva të shtruara në rend të ditës. Ne do të krijojmë një mjedis pune të ngrohtë dhe frymëzues për studentët tanë, që ata ta ndiejnë veten shumë më mirë në auditorët e Universitetit tonë. Ne do të rritim besueshmërinë e komunitetit, prindërve, studentëve, organeve vendore dhe gjithë opinionit ndaj institucionit tonë, në mënyrë që në shtëpinë tonë të dijes të vijnë me besim të plotë gjimnazistë nga gjithë rajoni i Korçës dhe më gjerë. Kjo do të bëhet mirë duke rritur edhe më shumë integritetin moral dhe profesional të pedagogëve tanë, duke i dhënë fund njëherë e mirë dukurive të shëmtuara si mitmarrja, vlerësimit të njënashëm në provime, nëpërkëmbjes së dinjitetit të studentëve etj., të cilat e ulin figurën e pedagogut si edukator. Kjo do të arrihet kur pedagogu të mos mjaftohet vetëm me dhënien e leksionit, duke i larë duart nga përgjegjësia për rezultatet e të nxënit të studentëve, nga pajisja e tyre me kompetancat bazë që janë të domodoshme për profesionin për të cilin do të diplomohen. Kjo do të bëhet edhe më mirë kur studentët tanë të trajtohen të barabartë, duke i parë në sy, duke u njohur me shqetësimet e tyre, duke ndihmuar që ata të rritin nivelin e njohurive, duke nxitur dhe stimuluar studentët me rezultate të larta, si dhe duke ngushtuar dhe mbushur hendekun e madh që është krijuar prej shumë vitesh midis jetës së studentëve në auditor dhe jashtë auditorit etj.
Së treti, gjithë veprimtaria kërkimore, shkencore dhe botuese e Universitetit të Korçës do të jetë në shërbim të zgjidhjes së problemeve të rajonit të Korçës. Në katër vitet e ardhshëm Universiteti ynë do të rritë edhe më tej rolin e tij si qendra më e madhe mësimore, shkencore dhe kulturore në rajonin e Korçës, duke forcuar lidhjet e organeve drejtuese të Universitetit dhe fakulteteve me drejtuesit e bashkive, të qarkut, të prefekturës, të drejtorive rajonale apo me organizata dhe fondacione që veprojnë në rajonin e Korçës; duke sjellë në Universitet mendimin e specialistëve të fushave të ndryshme, si dhe të drejtuesve të organeve vendore për zgjidhjen e problemeve që ka universiteti; që edhe ata ta ndiejnë se janë pjesë e Universitetit të Korçës, madje dhe në administrimin e tij.
Universiteti i Korçës do të bëhet nismëtar për të organizuar në mënyrë periodike konferenca shkencore popullarizuese për probleme të fushave të ndryshme, duke u mbështetur dhe në potencialet intelektuale që ka rajoni. Një objektiv i rëndësishëm është që Universiteti ynë të ofrojë shërbime për probleme të rëndësishme të rajonit në përputhje me misionin e tij, duke bashkëpunuar me bashkitë e rajonit dhe aktorë të tjerë.
A mund të flitet sot për Universitete të mëdhenj dhe universitete të vegjël?
Realiteti po tregon edhe në Shqipëri, ashtu si dhe në vende të tjera, se nuk ka universitete “të mëdhenj” dhe “të vegjël”. Mosha dhe emri i një universiteti nuk maten thjesht me vitet, si puna e njeriut, as me vendin ku zhvillon veprimtarinë, as me madhësinë apo me numrin e studentëve, sepse ka tregues të tjerë dhe standarde të matshme që lidhen me misionin e vyer që ka ky institucion për edukimin e brezave të rinj. Universiteti i Korçës tashmë ka krijuar profilin e tij të plotë si një institucion me emër dhe me integritet të lartë; me një infrastrukturë bashkëkohore në shërbim të mësimdhënies moderne dhe kërkimit shkencor të zbatuar; me një staf të dyfishuar në numër dhe me kualifikimet e duhura e gjithnjë në rritje; me programe studimi të konsoliduara, duke synuar hapjen programeve të reja, sidomos ato me karakter profesional; me veprimtari shkencore mbarë dhe ndërkombëtare, që e kanë hapur dhe e kanë lidhur institucionin tonë me shumë universitete të tjera; me projekte të bukshme në dobi të përngritjes shkencore të pedagogëve dhe studentëve; me një numër të mjaftueshëm studentësh, që po shkon drejt prurjeve cilësore; me mjedise mësimore e çlodhëse për studentët, që do të shtohen edhe më shumë; me investime të nevojshme e të frytshme, që do të rriten në të ardhmen etj.
Ju e dini se misioni më i madh dhe më i vjetër i çdo universiteti është sendërtuar në shprehjen e njohur të Virgjilit “ALMA MATER”, që do të thotë “nëna jetëdhënëse, nëna pjellore”, ajo që më ka dhënë gji, ajo që jep ushqim shpirtëror”. Thelbi i këtij misioni parak ka mbetur edhe sot e kësaj dite, çka shprehet më së miri në Ligjin e ri për Arsimin e Lartë, ku thuhet se arsimi i lartë është një e mirë dhe përgjegjësi publike, ndaj dhe universiteti duhet të krijojë, të zhvillojë, të përcjellë dhe të mbrojë dijet përmes mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, për të përgatitur specialistë të lartë dhe shkencëtarë të rinj. Pjesë e këtij misioni është dhe Universiteti ynë, ndaj dhe ne të gjithë, si një familje e madhe, pedagogë, studentë e punonjës ndihmësmësimorë, ku secili ka rolin e vet të çmuar, do të punojmë edhe më shumë së bashku dhe me përkushtim, në mënyrë që Universiteti i Korçës të radhitet me dinjitet e besueshmëri përkrah dhe në ballë të institucioneve më të mira të arsimit të lartë brenda dhe jashtë vendit.
KOHA JONË SONDAZH

