Urdhëri për prokuroritë në rrethe: Kufizoni kontaktet me qytetarët

Institucionet në vend pothuajse kanë ”ngrirë”. Sistemi i Drejtësisë ka marrë masa ekstreme ndaj situatës së krijuar nga përhapja e koronavirusit në vend. Këshilli i Lartë Gjyqësor urdhëroi të martën ndërprerjen e shërbimeve gjyqësore në vend, kjo si një masë parandaluese dhe për ruajtjen e shëndetit të stafit gjyqësorë. Nga ana tjetër, edhe Prokuroria e Përgjithshme ka dalë me një udhëzim. Për prokuroritë e rretheve, kryeprokurori Olsian Çela ka rekomanduar kufizimim në maksimum të kontaktit me qytetarët.

Udhëzimi ka për qëllim për të siguruar mbrojtjen nga infeksioni i shkaktuar nga COVID-2019 të shëndetit të punonjësve në administratën e prokurorive me juridiksion të përgjithshëm dhe të shëndetit të shtetasve të interesuar për shërbime në prokurori, si dhe mbarëvajtjen e punës në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm. Ky udhëzim i përgjithshëm hyn në fuqi menjëherë dhe detyrimet e përcaktuara në të zbatohen për një periudhë dy-javore nga hyrja në fuqi e këtij udhëzimi.

Në vazhdën e masave, edhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi masat për ndërprerjen e pranisë së publikut pranë këtij institucioni për të kryer denoncimet e tyre. Denoncimet do të bëhen vetëm me postë ose nëpërmjet internetit, masë të cilën e pasoi edhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

MASAT ADMINISTRATIVE

Neni 3

1. Drejtuesit e prokurorive me juridiksion të përgjithshëm, në kuadrin e situatës së krijuar nga infeksioni i shkaktuar nga COVID-2019 dhe masave të nevojshme për mbarëvajtjen dhe funksionimin e prokurorive pranë gjykatave që ushtrojnë funksionet, të vlerësojnë dhe vendosin marrjen e masave për:

i) Kufizimin e kryerjes së veprimeve hetimore që kanë të bëjnë me marrjen e deklarimeve nga personat që kanë dijeni mbi faktet, personat nën hetim apo të pandehurit, përveç rasteve kur nga vonesa mund të dëmtohen hetimet, ose një gjë e tillë nuk mund të shtyhet për shkak të afateve procedurale.

ii) Kufizimin e veprimeve procedurale që zhvillohen në ambientet e spitaleve, ambulancave apo laboratorëve mjekësore dhe kur nuk është e mundur, duke u pajisur në çdo rast me masat e pajisjet për mbrojtjen fizike të domosdoshme.

iii) Kufizimin e veprimtarisë administrative të zyrave të sekretarisë në çdo prokurori në kontaktet me qytetarët, për t’i kryer me anë të komunikimeve nëpërmjet shërbimit postar ose mënyra të tjera që sigurojnë kontakte të pakta fizike.

iv) Kufizimin e orareve të takimit me qytetarët ose subjektet me status të posaçëm nga koordinatorët përkatës, prokurori për marrëdhënit me publikun, drejtuesi i prokurorisë, drejtuesit e seksioneve apo prokurorët. Në vendin e caktuar ku është bërë shpallja e orarit të pritjes së qytetarëve të shpallet kufizimi i kësaj veprimtarie, deri në një moment të dytë që do të vlerësohet nga ana e drejtuesit të prokurorisë.

v) Kufizimin e mbledhjeve, analizave, takimeve në ambientet e prokurorisë ose zyrave të policisë, ku ka pjesëmarrje të lartë të personave të përfshirë.

vi) Në çdo rast kur nga rrethanat rezulton prania e shtuar e personave në sallat e gjyqit të çmohet nga prokurori për t’i kërkuar gjykatës zhvillimin e seancave gjyqësore me dyer të mbyllura referuar në nenin 340 të K.Pr.Penale.

SHKARKO APP