”Urreja Aldën”, luksi i 20-vjeçarit dhe enigma e 540 mijë euro-ve
Nga: Redjon Shtylla
”Urreja Alda Klosin”, ka thënë në polici pastruesja Rozeta Dobi, e cila mori në banesën e pronares së saj në rrugën e ”Kosovarëve” që pastronte prej 5 vitesh, më shumë se 120 mijë euro. Alda Klosi dikur ka qenë shefe kabineti e Arben Ahmetaj kur ky i fundit ishte zv.kryeministër, si edhe ka qenë drejtoreshë koncesionesh.
Rozeta dhe Havier Dobi sot nga Gjykata e Tiranës morën masën e sigurisë ”arrest me burg”, dhe u arrestuan në fundjavë pasi në tubin e ajrimit të kuzhinës së tyre u gjetën mbi 400 mijë euro të vjedhura. Denoncimi u bë nga vetë Alda Klosi. Ajo ka deponuar se 120 mijë eurot që ju vodhën, janë kursime të mbledhura për kurimin e xhaxhait të saj.
Përpos milionave, sanitarja mori edhe bizhuteri luksoze të floririt, mes të cilave varëse, byzylykë dhe vëth të shtrenjtë. Ora të shtrenjta si Masserati, apo dhe çanta Valentino.
Djali i sanitares, 20-vjeçari Havier Dobi në rrjete sociale reklamonte një jetë luksi dhe gjatë qëndrimit në paraburgim, i ka shkruar të atit një letër, ku i shprehet se është shumë mirë, por i kërkon që ta nxjerrë sa më parë që aty, pasi shprehet se i vjen të vrasë veten. Lekët i përdori dhe bleu dy mjete, por tani fajin ja vë nënës.
”Mamit nuk do ja falja kurrë këtë gjë. Mos u bëj merak, ju dua shumë. Do dal vetëm për ju”,-thuhet në letrën e të riut. Po ashtu një letër i ka dërguar edhe të dashurës, ku i thotë që ta presë 2 muaj.
Në dëshimë e dhënë përballë hetuesve, 20-vjeçari thekson se në datën 15 dhjetor 2022, ai ka shoqëruar mamanë, në banesën e Klosit dhe e ka pritur rreth 20 minuta. Ai rrëfen se mamaja u kthye në makinë me një çantë në krah, në të cilën afër lagjes së tyre zbuloi se kishte marrë një kasafortë. Sipas të riut e ëma e tij e hodhi kasafortën në kosh, por disa ditë më vonë ajo i dha atij një shumë parash me prerje 500 dhe 200 euro me të cilat ai bleu 2 makina.
Spartak Dobi, bashkëshorti i Rozetës, shprehet se do të shesë shtëpinë për të nxjerrë të birin nga burgu. Ai pranon se familja e tij nuk ka qenë ndonjëherë në gjendje të vështirë ekonomike dhe shton se ka dhe një banesë në zonën e Pazarit të Ri në kryeqytet, të cilën e jep me qera prej 1 mijë euro në muaj.
“Djali punonte taksist, do shes shtëpinë që të nxjerr djalin. Do marr një shtëpi me qera vetë, se e kam një shtëpi te Pazari i Ri dhe më ndihmon ai italiani me para, më jep 1 mijë euro në muaj. Nuk është se kemi qenë keq nga lekët”, tha Dobi.
Vjedhja është e dënueshme me ligj, por kjo vjedhje është me një hetim edhe më të madh brenda. Ku i gjeti milionat Alda Klosi?