Ursula von der Leyen pro zgjerimit gradual të BE-së, KE krijon një komision të posaçëm veç për Integrimin

Presidentja e rizgjedhur e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen ka deklaruar se ajo përkrah propozimin e Austrisë për zgjerimin gradual të BE-se me shtetet ballkanike. ”Ne kemi arritur përparim në pajtimin dhe zgjidhjen e konflikteve në Ballkanin Perëndimor. Gjithsesi Rusia po përpiqet që të destabilizojë këtë rajon. Shumica e njerëzve që jetojnë në këtë rajon po kërkojnë integrimin në BE. Në mandatin tim të parë e vendosa zgjerimin në krye të agjendës. Ne duhet që të rimendojmë politikat tona ndaj këtij rajoni me interes kritik për integrimin e plotë të këtyre vendeve.

Zgjerimi është një investim në politikën tonë të sigurisë kolektive duke i integruar sa më shpejt këto vende. Kemi filluar bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, krahas progresit me Malin e Zi dhe Serbinë. Unë jam plotësisht pro zgjerimit gradual. Ky proces filloi me planin e rritjes ekonomike. Tirana ka aeroportin me rritjen më të madhe në kontinent. Deri në fund të vitit, vendet tuaja do të jenë pjesë e tregut të vetëm financiar”,-tha Ursula von der Leyen, presidente e KE.

Po ashtu, ajo premtoi se do të emërojë një komisioner të posaçëm të dedikuar vetëm për zgjerimin. Ndonëse nuk deklaroi një afat konkret kohor se kur Shqipëria dhe vendet e rajonit do të anëtarësohen në BE, Von der Leyen tha se është e angazhuar që kjo të ndodhë sa më shpejt.

”Në fund të këtij muaji do të miratojmë planin e ri të reformave të gërshetuar me financimin prej gjashtë miliardë eurosh. Parimi është kryeni reforma, merrni financime. Në komisionin e ri europian do të ketë një komisioner të posaçëm të dedikuar vetëm për zgjerimin. Ne kemi vullnetin politik për t’i integruar plotësisht këto vende në BE sa më shpejt të jetë e mundur. Marrëveshjet dypalëshe nuk duhet të bëhen pengesë për këtë rrugë. Merrni vendime për të ardhmen e qytetarëve tuaj”.

SHKARKO APP