Usaid, McKee: shqiptarët të kërkojnë t’i jepet fund praktikave korruptive

Ndihmës-administratorja e Agjencisë amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar, USAID, zonja Erin McKee thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se fenomeni i korrupsionit nuk çrrënjoset vetëm nga qeveria, por se dhe vetë qytetarët duhet të kërkojnë t’u jepet fund praktikave korruptive. Duke folur me korrespondentin tonë në Tiranë Armand Mero, ajo shpjegon se mbështetja e USAID-it për Shqipërinë shtrihet në shumë fusha, nga sundimi i ligjit, te demokracia, konkurrueshmëria ekonomike apo dhe siguria kibernetike

Zëri i Amerikës: Zonja McKee, shumë faleminderit për mundësinë e kësaj interviste. Së pari do të doja të dija, cili është qëllimi i vizitës tuaj në Shqipëri?

Zonja McKee: Së pari, faleminderit për ftesën sot. Jam këtu për të ritheksuar dhe festuar parteritetin e qëndrueshëm mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, agjencisë time, USAID-it, në veçanti, si dhe popullit dhe qeverisë së Shqipërisë. Ne festuam vetëm vitin e shkuar, 30 vite bashkëpunim dhe unë po vërej ecjen përpara dhe produktin e këtij bashkëpunimi gjatë udhëtimit tim këtu.

Zëri i Amerikës: Ju vizituat edhe Vaun e Dejës. Cili ishte arsyeja për të cilën ju vajtët atje?

Zonja McKee: Më vjen mirë që pyetët. Udhëtova për në Vaun e Dejës për të parë bashkëpunimin që ne kemi me KESH-in, që e kemi pasur prej kohësh, për të ndihmuar Shqipërinë të forcojë sigurinë energjetike dhe siç e dimë, pavarësia energjetike është jetike për një demokraci të shëndetshme. USAID dhe ekipi im, në Uashington dhe këtu në Tiranë, kanë punuar fort për të siguruar që burimet e jashtëzakonshme të rinovueshme të Shqipërisë të shfrytëzohen në mënyrë të zgjuar në bazë të tregut dhe në mënyrë të larmishme, jo vetëm për pavarësinë energjetike të Shqipërisë, por edhe për kontributin e Shqipërisë për pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor, me një rol të rëndësishëm dhe potencial për të gjithë Europën. Isha e lumtur të shihja atë bashkëpunim në veprim.

Zëri i Amerikës: Çfarë projektesh të tjera po mbështet USAID në Shqipëri?

Zonja McKee: Më vjen shumë mirë për këtë pyetje. Ne po punojmë krah popullit shqiptar, partnerëve tanë në qeverinë shqiptare dhe të gjithë sektorëve të shoqërisë për të forcuar të ardhmen demokratike të Shqipërisë. Ne e dimë që një e ardhme në BE është jetike për Shqipërinë, për të zhbllokuar potencialin e saj të plotë për të bërë realitet qëllimet demokratike që i ka vënë vetes, për të parë mundësitë dhe diversifikimin e tregut.

Kështu, programet dhe projektet tona në 30 vitet e fundit e kanë mbështetur atë përpjekje. Do t’ju jap një shembull. Sot në mëngjes pata privilegjin të hapim së bashku me Ministren e Shëndetësisë, shoqërinë civile, partnerin tonë UNDP, si dhe shumë organizata të shoqërisë civile, një qendër komunitare. Kjo do të thotë të ofrosh shërbime të integruara për anëtarët më të cënueshëm të Shqipërisë, popullsinë që ka nevojë për vëmendje të veçantë, në mënyrë që ata të mund të jenë pjesë e së ardhmes së Shqipërisë në BE, që zëri i tyre të dëgjohet dhe të jenë pjesëmarrës më të drejta të plota në demokraci dhe ekonomi, që Shqipëria të mund të ofrojë jo vetëm për qytetarët e saj, por edhe pjesën tjetër të Evropës.

Zëri i Amerikës: Shtetet e Bashkuara janë një përkrahëse e fortë e procesit të integrimit europian të Shqipërisë. Konkretisht, USAID-i si po e mbështet këtë proces?

Zonja McKee: Përveç qendrës komunitare që përmenda, është të sigurohemi që asnjë shqiptar të mos mbetet pas. Ne kemi punuar me konkurrueshmërinë për t’u siguruar që ekonomia e Shqipërisë, teksa hyn në BE dhe konkuron në tregun e BE-së, të jetë e fortë dhe e larmishme. Dhe nga ajo që kam parë, ka shumë për të ofruar. Ne kemi punuar gjithashtu, natyrisht, për sundimin e ligjit dhe për të bërë të mundur të thyejmë ciklin e korrupsionit që dëmton demokracitë në të gjithë Europën, sinqerisht, çdo vend, sepse asgjë nuk e gërryen një të ardhme demokratike më shumë sesa sesa gërryerja e besimit që njerëzit kanë te qeveritë e tyre dhe në shoqërinë e tyre. Ndaj, përqendrimi tek sundimi i ligjit, demokracia, konkurenca ekonomike, energjia dhe sigurinë e infrastrukturës kritike janë të gjitha kërkesa si për anëtarësimin në BE, ashtu edhe për një të ardhme të fortë, të qëndrueshme dhe demokratike. Prandaj, programet dhe projektet tona janë përqendruara në ato përpjekje.

Zëri i Amerikës: Ju përmendët pak më parë dhe çështjen e korrupsionin. Cilat janë projektet apo planet e Agjencisë tuaj për të mbështetur Shqipërinë në adresimin e këtij fenomeni, për të promovuar transparencën në qeveri dhe institucione të tjera?

Zonja McKee: Më vjen mirë që pyetët sepse përmendët qeverinë dhe institucionet e tjera, çka është një pjesë e luftës kundër korrupsionit, por duhet edhe që qytetarët ta zmbrapsin korrupsionin, të jenë në gjendje të hedhin dritë mbi praktikat korruptive. Duhet gazetari e pavarur për t’u siguruar që historitë e korrupsionit të tregohen dhe dëgjohen. Kemi një shprehje: nuk ka dezinfektues më të mirë se drita e diellit. Dhe që ajo dritë të vijë nga qytetarët, nga gjyqësori, nga prokurorët dhe institucionet anti-korrupsion, tek përkushtimi për të krijuar një bashkësi llogaridhënieje – kjo çon në demokraci të fortë. Puna jonë është zhvilluar në këtë hapësirë, për të ndihmuar njerëzit të gjejnë zërin e tyre dhe të çrrënjosin korrupsionin. Nuk mund të jetë vetëm qeveria që çrrënjos korrupsionin. Qytetarët duhet të vazhdojnë të kërkojnë t’i jepet fund praktikave korruptive.

Zëri i Amerikës: Siguria kibernetike është një çështje kryesore për Shqipërinë duke pasur parasysh sulmet kibernetike të Iranit vitin e kaluar. Shtetet e Bashkuara kanë dhënë një ndihmë të madhe – 50 milionë dollarë. A është USAID pjesë e asaj mbështetjeje për sigurinë kibernetike të Shqipërisë?

Zonja McKee: Jam shumë krenare të them që po, jemi pjesë. Ashtu si në mjedisin humanitar ku USAID ka një historik të përgjigjeve ndaj krizave humanitare, edhe në këtë sulm, ne ishim të parët që mundëm të përgjigjeshim dhe ndihmonim bashkë me kolegët e Departamentit të Shtetit dhe të Mbrojtjes që ndihmuam për edhe për të identifikuar burimin edhe për të ndërtuar kapacitetet dhe aftësitë e Shqipërisë për të forcuar infrastrukturën e saj kritike, përfshi sigurinë kibernetike, në mënyrë që të mund t’i rezistojë sulmeve të ardhshme, si dhe për të investuar në brezin e ardhshëm për t’u siguruar që kapacitetet dhe aftësitë për specialistë IT, higjienën kibernetike, sigurinë kibernetike të mos ndodhin nga jashtë, nga Shtetet e Bashkuara – sigurisht, ne do të vazhdojmë të jemi partnerë me Shqipërinë – por që Shqipëria të mund të kujdeset vetë për infrastrukturën e saj kritike kombëtare. Do të doja t’ju jap një shembull: kur Putin pushtoi Ukrainën herën e parë në 2014-n, punuam shumë për të forcuar qeverisjen elektronike, transparencën dhe llogaridhënien duke përdorur shumë ekonominë digjitale dhe punën digjitale në këtë hapësirë. E kërkonin qyetarët. Është një kërkesë e shekullit 21, por në të njëjtën kohë, duhet ta mbrosh atë informacion. Ndaj, kur Putin pushtoi përsëri Ukrainën dhe kreu sulme josimetrike ndaj infrastrukturës së tyre kibernetike dhe kritike, partneriteti ynë ndihmoi për të ndërtuar rezistencën në mënyrë që t’i rezistonin atyre sulmeve dhe të mos binin sistemet. Presim me kënaqësi të bëjmë të njëjtën gjë edhe me Shqipërinë.

Zëri i Amerikës: Ju thatë se mes Shqipërisë dhe USAID-it ekziston një periudhë e gjatë bashkëpunimi, mbi 30 vjeçare. Si do ta karakterizonit ju këtë marrëdhënie historike mes Agjencisë tuaj dhe Shqipërisë?

Zonja McKee: Në radhë të parë, do ta karakterizoja si partneritet. Përqasja e USAID është jo të japë lëmoshë por mbështetje për t’u ngritur. Dhe, ndërkohë që kemi investuar mbi 500 milionë dollarë, e gjitha nuk ka të bëjë me paratë. Ka të bëjë me partneritetet afatgjata dhe modelet e suksesit që shqiptarët i kanë mësuar Shteteve të Bashkuara dhe që Shtetet e Bashkuara kanë ndarë me shqiptarët.

Ndaj partneriteti që kemi ndërtuar në diversifikimin ekonomik, sigurinë energjitike, qeverisjen vendore, qeverisjen qendrore, sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, gjithçka që bëjmë për ta ndihmuar Shqipërinë që të arrijë dhe të përmbushë potencialin e saj të plotë është diçka për të cilën jam krenare, jo si donatore, si dikush i jashtëm, por si partner i Shqipërisë, teksa shohim drejt së ardhmes.

Zëri i Amerikës: Ndërsa i hedhim një vështrim zhvillimeve në rajon por dhe globalisht, duke përfshirë luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe tani Izrael-Gaza, si e shihni rolin e USAID-it në Ballkanin Perëndimor?

Zonja McKee: Në Ballkanin Perëndimor dhe në përgjithësi, në fakt do t’i kërkoja Shqipërisë që të na ndihmojë. Ju jeni shumë të përqëndruar dhe shpresoj po përshpejtoni udhëtimin tuaj drejt anëtarësimit në BE. Do të doja t’i ktheja sytë nga partneriteti ynë në të ardhmen e afërt, si model që mund ta ndjekin edhe vendet e tjera të Ballkanit. Siç e thashë, kemi punuar për konkurueshmërinë ekonomike, sundimin e ligjit, për t’u siguruar që popujt e Ballkanit Perëndimor dhe në këtë rast populli shqiptar të ketë një interes në atë të ardhme. Dhe me suksesin tuaj, mund t’i demonstroni fqinjëve, popujve të tjerë të Ballkanit Perëndimor, ku kemi gjithashtu programe, se jo vetëm është e mundur por edhe rrugën që duhet ndjekur; ja ç’mësuam dhe ja se ç’mund të bëjmë bashkë për ta arritur atë të ardhme.

Zëri i Amerikës: Zonja McKee, faleminderit shumë.

Zonja McKee: Shumë faleminderit që u takuat me mua sot.

SHKARKO APP