Ushqim falas në shkollat 9-vjeçare, Erion Veliaj: Do jemi të parët në rajon. Qendër për fëmijët me nevoja të veçanta

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka dhënë detaje mbi projektin e shpalosur disa ditë më parë, për ushqim falas për të gjithë nxënësit në shkollat publike 9-vjeçare në Tiranë. Filozofia e këtij projekti është që të ofrojë kushte të barabarta për të gjithë fëmijët, kryesisht për ata që vijnë nga familje me ekonomi më të dobët.

“Si të majtë ne besojmë se nëse fëmijët marrin të njëjtat vitamina, të njëjtat vlera ushqyese, është një mënyrë për t’i mbajtur fëmijët më gjatë në shkollë, por edhe që ta kenë fillimin e barabartë. Edhe te Piramida, ku i kemi të gjitha kurset falas, funksionon filozofia që startin ta kenë të gjithë njësoj”, tha Veliaj.

Duke nisur nga shtatori i ardhshëm, Veliaj u shpreh se Tirana do të jetë qyteti i parë në rajon që aplikon një projekt të tillë, që aktualisht zbatohet në Londër.

“Do ketë një sistem kateringu në shumë shkolla. Do jemi ndoshta i pari qytet që e bën këtë në rajon. E kemi marrë si projekt nga Londra. Londra po e bën shumë mire këtë”, shtoi ai.

Ideja për këtë projekt, Veliaj tha se ka qenë prej kohësh, por tashmë janë mundësitë ekonomike për ta zbatuar.

“Është diçka që e kemi menduar prej kohësh, por nuk e kemi pasur mundësinë. Nëse para 9 vitesh bashkia ishte e falimentuar, nuk paguanim dot ndihmën ekonomike, nuk paguanim dot rrogat, e nuk ndërtonim një shkollë, sot bashkia nuk është e tillë. Sot ka 10-fishin e buxhetit. Kjo do të thotë se e ka mundësinë që të mendojë. Unë nuk e fsheh, unë jam socialist, jam i majtë, unë besoj se shteti ka një detyrim social, sidomos ndaj shtresave në nevojë”, tha Veliaj, i ftuar në emisionin “Aldo Morning Show”.

Një tjetër projekt i rëndësishëm që Veliaj ka lançuar është ndërtimi i një qendre që ofron shërbime falas për fëmijët e spektrit autik dhe ata me sindromën Down. Krahas zhvillimit të infrastrukturës, Veliaj tha se synon që t’i lërë qytetit edhe trashëgimi sociale.

“Një nga gjërat që kemi parë është se, si në aspektin ekonomik dhe social, ky qytet po ecën shumë shpejt, por jo të gjithë po mbajnë të njëjtin ritëm. Duhet të mendojmë edhe për ata që ndoshta nuk ia kanë dalë dhe kanë nevojë për një dorë. Si kryetar bashkie dhe si menaxher i kësaj familje të madhe, gjykoj që për këta engjëj të vegjël duhet të ketë shërbim. Ajo që më rezulton nga shumë prindër që flas është se shumë prej këtyre qendrave private janë shumë të kushtueshme. Pra heq një pjesë të madhe të buxhetit të familjes. Nëse ne kemi bërë një qendër ekselence si Piramida, ku kurset e teknologjisë janë falas, atëherë ne mund të bëjmë fare mirë një qendër ekselence. Kemi marrë një terren pas ambasadës amerikane, ish qendra “Pëllumbat”. Dua siç Piramida është qendra më e madhe në Europë për arsimin digjital, dua që të gjithë engjëjt tanë që kanë sfida në fëmijëri, të ndihmohen me logopedë, me fizioterapistë. Trashëgimia që dua t’i lë këtij qyteti, përveç infrastrukturës, shesheve, Pazarit, Bulevardit, Liqenit duhet të jetë një trashëgimi jo vetëm fizike, por edhe sociale. Kjo trashëgimi është diçka që qyteti meriton po aq sa edhe infrastruktura fizike”, shtoi Veliaj.

SHKARKO APP