Ushtarakët me misione jashtë, ja sa para do të marrin sipas vendimit të ri nga qeveria
Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për sigurimin e jetës së personelit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, që dërgohet me misione ushtarake dhe stërvitje jashtë vendit. Vendimi i zbardhur jep detaje për sigurimin e jetës së personelit të Forcave të Armatosura për vitet 2024, 2025 dhe 2026.
-Sigurimi i jetës bëhet sipas kontratës që lidhet me shoqërinë e sigurimit, të përzgjedhur sipas rregullave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për prokurimin publik. Ky sigurim mbulon ngjarjet në rastet e:
a) humbjes së jetës për shkak të detyrës apo si rezultat i aksidenteve gjatë ushtrimit të saj;
b) zhdukjes;
c) dëmtimit shëndetësor, me pasojë paaftësi të përhershme, të plotë ose të pjesshme, si rezultat i një aksidenti gjatë kohëzgjatjes së misionit ushtarak dhe stërvitjes jashtë vendit;
ç) dëmtimit shëndetësor, me pasojë paaftësi të përkohshme, të plotë ose të pjesshme, si rezultat i një aksidenti gjatë kohëzgjatjes së misionit ushtarak dhe stërvitjes jashtë vendit;
d) shërbimeve mjekësore në spitalet publike ose private brenda dhe/apo jashtë vendit, kur mbulimet shëndetësore nuk ofrohen në spitalet publike.
– Shuma e përcaktuar në kontratën e sigurimit, për çdo person të siguruar, nuk është më e ulët se:
a) 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë, për rastet e humbjes së jetës për shkak të detyrës apo zhdukjes së personit;
b) 12 000 000 (dymbëdhjetë milionë) lekë, për rastet e dëmtimit shëndetësor me pasojë paaftësi të përhershme;
c) 5 000 000 (pesë milionë) lekë, për rastet e humbjes së jetës, si rezultat i aksidenteve gjatë ushtrimit të detyrës;
ç) 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, për rastet e dëmtimit shëndetësor, me pasojë paaftësi të përkohshme.