Ushtarët nga Kosova në Kukës për zjarret, ministri: Janë heronj të vërtetë, të bashkuar jemi më të fortë

Në krah të Shqipërisë në luftën me flakët në Kukës janë edhe ushtarët e ardhur nga Kosova. Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka qëndruar sot në Shqipëri në zonën e Kukësit, ku ka ndjekur për së afërmi angazhimin e trupave të FSK-së për shuarjen e zjarrit në këtë zonë.

“Sot për të parë nga afër zhvillimin e operacionit në shuarjen e zjarrit në malin Shën Mëri, vizitova pjesëtarët e kontingjentit të FSK-së dhe pjesëtarët e kontingjentit të zjarrfikësve nga Agjencia e menaxhimit të Emergjencave. Dhembjen për dëmet e shkaktuara nga zjarri e mbisundonte ndjenja e krenarisë për ushtarakët tanë- heronj të vërtetë që me guxim, shpirt ekipi dhe shërbim vetëmohues nderojnë emblemën tonë, Kombin dhe Atdheun”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

Po ashtu Mehaj ka shkruar se si një trup i vetëm bashkë me vëllezërit dhe motrat tona të Shqipërisë po vazhdojnë betejën me flakët deri në fund. “Si një trup i vetëm bashkë me vëllezëri dhe motrat tona të Shqipërisë po vazhdojnë betejën me flakët deri në fund. Së bashku më të fortë, në ditë të vështira me vëllezërit e motrat tona”, u shpreh ministri.

SHKARKO APP