Ushtarët nisen në misionin e NATO-s në Bullgari, Vengu: Kontribut në sigurinë rajonale

Forcat e Armatosura shqiptare vijojnë kontributin me misione për garantimin e sigurisë rajonale. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, Gjeneral Lejtnant Arben Kingji përcollën sot kontingjentin e radhës për në grup-batalionin e NATO-s në Bullgari, si dhe pritën një pjesë të trupave shqiptare që shërbejnë në misionin e KFOR në Kosovë.

”Në Bullgari, njerëzit tanë janë të angazhuar në përforcimin e krahut lindor të NATO-s, ndërsa në KFOR kontribuojnë në një tokë shumë të dashur për të gjithë ne, Kosovën që aq shumë ka nevojë për kontributin e të gjithëve si pjesë e Aleancës së madhe.

Trupat e FA-së, në çdo mision ku shërbejnë, nuk përfaqësojnë vetëm uniformën që mbajnë, por fuqinë dhe dinjitetin e Shqipërisë në skenën ndërkombëtare.

Familjet tyre, që i mbështesin në çdo hap të këtij rrugëtimi, janë gjithashtu heronj të heshtur të këtij misioni. Krenar për ambasadorët e vlerave tona kombëtare dhe ushtarakët që sakrifikojnë çdo ditë në misionet e NATO-s”, tha Vengu.

SHKARKO APP