Ushtari amerikan që ia besoi jetën, komandos shqiptar Peçi

Herën e fundit që Michael Trost e kishte parë Aleksandër Peçin, të dy burrat ishin të shtrirë për toke në një nga rrugët e një fshati të vogël në Afganistan, duke pyetur veten e tyre mes një breshërie armësh se a ishte ky një përfundim i dhunshëm i jetës së tyre në tokë.

Ribashkimi i tyre të hënën në aeroportin “McGhee Tyson” ishte një ngjarje e lumtur, pasi Trost për herë të parë takoi ish-shokun e luftës, Peçin, të cilin s’e kishte parë që nga dita e tmerrshme e shkurtit të 2012, shkruan “The Daily Times”.

“Herën e fundit që e kam parë atë, ishim në fushëbetejë”,- ka thënë Trost, duke shtuar: “Ne e shikuam njëri-tjetrin, dhe nuk e dinim nëse do t’ia dilnim”, transmeton “Koha.net”.

Ai e quan një mrekulli ritakimin me të, duke thënë se krijohet një lidhje e veçantë nga raste të tilla. “Duke e parë atë tani… është si një mrekulli. Kjo është një lidhje që krijohet tek ushtarët kur ata janë në një situatë të tillë së bashku. Mbështeteni te njëri-tjetri, edhe nëse nuk e flisni të njëjtën gjuhë”,- është shprehur Trost.

Tregimi i Trostit mund të jetë i njohur për qytetarët e Blount Countyt, vendlindja e tij. Ai i ishte nënshtruar një trajtimi mjekësor, kur në vitin 2012, ai, së bashku me ushtarët e tjerë të stacionuar në Afganistan, kishin rënë në pritë të Policisë Kombëtare Afgane.

Në këtë sulm të afganëve Trost humbi gjysmën e dorës së tij të djathtë, që e la me lëndime të mëdha në ekstremitetet e tij të ulëta. Atij iu deshën rreth tre muaj trajtim në spitalet ushtarake para se të mund të kthehej në shtëpi, në Blount County.

Që nga atëherë ai është nderuar me çmimet “Purple Heart” dhe “Bronze Star”, ndërsa është nderuar edhe nga presidenti Barack Obama e është trajnuar edhe nga bejbollistët profesionalë si dhe është vizituar nga të famshmit.

Por, afër katër vjet që nga aksidenti, Trost ende nuk e kishte parë mikun e tij Peçin, ushtarin shqiptar me të cilin kishin ndarë së bashku një post ushtarak dhe një përvojë që i ka ndryshuar jetën.

Trost, një ish-anëtar i Njësisë 489 të Ushtrisë Rezervë jashtë Knoxvillet, kujtoi ditën e sulmit që ishte afër t’i merrte jetën derisa priste aeroplanin e Peçit që të vinte të hënën i stacionuar në një bazë në anën lindore të Afganistanit përgjatë kufirit me Pakistanin – një bazë që ishte edhe shtëpia e një njësie të vogël ushtarake shqiptare – Trost tha se ai dhe ushtarët e tjerë ishin në misionin e ashtuquajtur të “punëve civile” më 20 shkurt 2012, për t’u takuar me zyrtarët e shkollave dhe udhëheqësit fetarë në fshatrat e asaj zone.

Trost ka treguar se ai, Peçi dhe një oficer tjetër shqiptar po qëndronin jashtë automjeteve të tyre, duke biseduar në fshatin e vogël të Robatit, kur kishin dëgjuar breshëri të shtënash me armë. “E shtëna e parë erdhi drejt meje dhe më goditi në mes të dorës”,- ka thënë Trost, duke mbajtur dorën e djathtë tani në mungesë të gishtit tregues, dhe një gisht tjetër.

Përkundër që mori lëndime të rënda dhe ishte i tëri i gjakosur, Trost tregon se automjete tjera të armatosura nga prapa nuk ndalnin të shtënat, duke e goditur atë përsëri, tani në kofshë dhe në të dy këmbët.

Plumbat kishin goditur edhe oficerin tjetër shqiptar duke e lënë të vdekur, ndërsa Trost dhe Peçi, pavarësisht lëndimeve të rënda, kishin adrenalinë të mjaftueshme për t’u strehuar. “Vrapuam aq shpejtë sa mundnim, por u lodhëm para se të mund të arrinim tek caku. Pastaj të shtrirë për toke shikonim njëri-tjetrin. Ai ishte goditur në fytyrë dhe më pyeste mua ‘a je mirë?’”

Kur Peçi më në fund arriti në aeroportin e “McGhee Tyson”, rreth orës 20:00, një djalosh i pashëm në vitet e 30-ta, tregoi se atij iu deshën rreth katër muaj që të shërohej nga plagët.

Fytyra e tij ende mbart një shenjë me ngjyrë kafe nën syrin e tij të majtë, vendi ku plumbi i mitralozit e kishte goditur, duke kaluar nëpër fytyrën e tij dhe duke dalë në anën e djathtë të pjesës së poshtme të nofullës. Peçi u shpreh se, “është shumë i lumtur që takon përsëri Michaelin”.

“Ishte një situatë vërtetë e keqe, kur ishin së bashku herën e fundit, pasi të dy ishin shumë rëndë të plagosur”,- ka thënë Peçi, transmeton “Koha.net”.

Peçi ka treguar se, ka kaluar edhe shtatë muaj të tjerë me shërbim në Afganistan pas rikuperimit nga lëndimet. Tani me disa përfitime ushtarake në dispozicion nga Qeveria, ai jeton së bashku me gruan dhe dy vajzat e tij në Shqipëri, por është duke e shqyrtuar mundësinë që të zhvendoset në SHBA.

Trost, nga ana e tij ka thënë se, do ta ndihmojë në çdo mënyrë që mundet Peçin, pasi e konsideron më tepër se vëlla, të cilit do t’i besonte edhe jetën. “Ai është dikush që e konsideroj më tepër se vëlla. Do t’ia besoja atij edhe jetën”,- është shprehur Trost.

SHKARKO APP