Vaksina antiCovid jo vetëm për personalitetet, Tomini: Veteranë lufte dhe mjekë në pension morën sot dozën e parë
Përveç 24 personaliteteve që u vaksinuan këtë të diel në ambientet e stadiumit “Air Albania” janë paraqitur dhe disa të moshuar të tjerë veteranë lufte apo mjekë në pension.
Njëri prej tyre, 95-vjeç, tha për News24 se është veteran lufte dhe se mjekja në qendrën e tij shëndetësore në njësinë ku banon i kishte lënë një orar për të marrë dozën e parë të vaksinës Pfizer.
Të moshuar të tjerë të shoqëruar nga familjarë paraqisnin një dokument para se të futeshin brenda ambienteve te stadiumit.
Zv. ministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini tha se të gjithë ata që janë vaksinuar sot në Air Albania i përkasin fashës 80 plus.
“Ka vijuar fasha 80 plus me një proçes shumë të qetë, e përvijuar sipas të gjithë programit të imunizimit të kësaj fashe, duke kaluar të gjitha fazat e plotësimit të formularit para vaksinës, procesi i vaksinimit dhe më pas procesi i pritjes. Janë personalitete apo njerëz të njohur që kanë qenë të përfshirë brenda fashës 80 plus, nuk kemi devijuar në asnjë moment nga fasha 80 plus. Ka qenë një ditë e personifikuar apo fasha 80 plus që do vaksinoheshin me vaksinën anti-covid. Në vijim do preocedohet me të njëjtën fashë dhe me personelin shëndetësor, i cili sipas grupeve të paracaktuara dhe zonave të riskut do përvijojnë më aplikimin e vaksinës. Me dozë të parë apo të dytë, sipas radhës dhe datave të përcaktuara nga programi i imunizimit”,- tha ajo.
Nga Air Albania ku mori pjesë në inspektimin e nisjes së vaksinimit për personalitetet, kryeministri Rama tha se nuk ka asnjë diferencim mes tyre se përveç personaliteteve ka edhe shumë të moshuar të zakonshëm në listë për t’u vaksinuar.