Vaksina AstraZeneca po vjen në Shqipëri, të mirat dhe “të metat”
2021 është viti i vaksinit ndaj Covid-19. Pfizer dhe AstaZeneca listohen si konkurrentët që po furnizojnë botën me këtë vaksinë. Por cilat janë dallimet mes tyre? Prestigjiozja britanike “The Telegraph” i ka kushtuar një artikull kësaj teme, ku sqaron se Pfizer mburret me një efikasitet prej 95% krahasuar me 70 për qind që vlerësohet për vaksinën e Oksfordit.
Pfizer pretendon se imuniteti fillon 14 ditë pas vaksinimit, ndërsa me Astra Zenecan imuniteti nis pas 22 ditësh. Për këtë aspekt ka pasur kundërshti nga të dyja kompanitë. Sipas “Telegraph”, vaksina e Oksfordit zvogëlon transmetimin e virusit me 67 për qind, por nuk ka të dhëna për Pfizerin.
Pfizer duhet të mbahet në -70 gradë Celcius dhe të përdoret brenda pesë ditëve pasi del nga kontejneri me akull të thatë, në të cilin është transportuar, ndërsa vaksina e Oksfordit mund të mbahet në një frigorifer, midis 2 dhe 8 gradë Celcius, deri në gjashtë muaj.
Shifrat e publikuara tregojnë se vaksina e Pfizer është 10 herë më e shtrenjtë se Astra Zeneca, e cila vjen me 2 euro për dozë. Disa vende të BE-së, si Franca, Polonia, Suedia, Italia dhe Gjermania, kanë thënë se vaksina AstraZeneca nuk do përdoret në këto shtete për moshat mbi 65 vjeç, pasi është cilësuar si joefektive për këtë grupmoshë.