Vaksina kineze, një siguri e shtuar për qytetarët shqiptarë, apo një manovër elektorale me shëndetin?

Nga Vojo Bregu

Dje Edi Rama, para se të çelte One Man Show-n e tij të hapjes së fushatës, doli në aeroport të priste vaksinën kineze. Ai shpalli se kishte siguruar 1 milion doza dhe se kishte në plan madje ndërtimin në Shqipëri të një fabrike të prodhimit të Sinovac, sipas modelit turk.

Ndërsa ne të gjithë mirëpresim ndihmën e secilit vend mik për të përballuar pandeminë, vaksina kineze ka të paktën dy probleme serioze.

1 – Problemi i parë është efikasiteti dhe çertifikimi. Agjensia Amerikane e Barnave (FDA) dhe njekohësisht Agjensia Europiane e Barnave (EMA) nuk e kanë aprovuar Sinovac.
Përkundrazi sugjerojnë fort Pfizer dhe Moderna, testet e të cilave janë kryer në transparencë të plotë dhe rrjedhimisht efikasiteti është matur dhe çertifikuar.

Kujtojmë se Sinovac ndodhet akoma në fazën e tretë të testimit klinik, rezultatet e të cilit janë larg pritshmërive. Në Brazil fillimisht u dha shifra e efikasitetit 78%, ndërsa më vonë ky numër ra deri në 50.4%, pasi u përllogaritën dhe rastet e lehta.
E thënë ndryshe, vaksina funksionon tek një ndër dy vetë!!
A është kjo siguria që duhet t’i ofrojmë qytetarëve?

Këtyre dyshimeve të bazuara kryeministri Rama mbrëmë ne Opinion ju përgjigj duke thënë se shqiptarët i besojnë verbërisht sistemit shëndetësor turk dhe në Turqi kjo vaksinë është aprovuar.
Ky është një rast tipik i gabimit logjik argumentum ab auctoritate që në rastin e Ramës do mund të përshtatej argumentum ad Erdoganum.
Njësoj pyetjes mbi vaksinën AstraZeneca i pari i vendit iu përgjigj duke thënë se shqiptarët i kanë proçeset mendore shumë më të shpejta se ç’mendojnë analistët.
Me fjalë të tjera, Rama mbështetet tek qarku i shkurtër i frikës. Po s’u vaksinova me këtë kinezen, do ngelem pa vaksinuar. Hajt se po e bëj!
Që më pas këtë qark të shkurtër ta shfrytëzojë elektoralisht si baba i shëndetit të Kombit.

2 – Problemi i dytë me Sinovac është politik, madje gjeopolitik. Në këto kohë të nacionalizmit shëndetësor vaksina po përdoret si “monedhë sigurie”. Vende të ndryshme janë futur në një garë të ethshme për t’u paraqitur si alternativa më e mirë botërore e vaksinimit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëpërmjet përfaqësisë se tyre në Shqipëri janë shprehur fort në kundërshtim të ndikimit politik kinez.
Ku qëndron Shqipëria në këtë skakierë ndërkombëtare?
Mesa duket, qeveria shqiptare ka braktisur çdo konsideratë për orientimin pro-perëndimor të Shqipërisë dhe ka ndjekur strategjinë amatore KÇVK. Kap ç’vaksinë të kapësh.
Ky aks i çuditshëm shqiptaro-turko-kinez e vë Shqiperinë në konflikt jo vetëm me frymën perëndimore të qytetarëve të saj, por edhe me strategjinë e sigurisë europiane dhe amerikane.

Duke uruar që Shqipëria të çlirohet nga vargonjtë e kësaj pandemie dhe të ringrihet pas goditjeve të njëpasnjëshme ekonomike dhe mbi të gjitha psikologjike, uroj që kursi i qeverisë në raport me këtë çështje të ndjeshme të ndryshojë.
Të paktën të kufizohen dëmet deri në Ndryshimin e Madh me 25 Prill.

Vojo Bregu – Kandidat i LSI-së për deputet në Qarkun e Tiranës

SHKARKO APP