Vaksina kundër gripit mungon në farmaci, Toma: Tregu drejt monopolizimit!

Vaksinohuni kundër gripit! Është kjo këshilla që mjekët këtë vit ja drejtojnë çdo moshe, por nëse do të doni ta ndiqni e do të shkoni për ta blerë në farmaci, nuk do të gjeni.

Vaksina kundër gripit mungon.

Disa prej farmacistëve në Tiranë na treguan se furnizimi ende nuk iu ka mbërritur.

Me mungesë të vaksinës së gripit sipas Urdhrit të Farmacistit po përballet i gjithë vendi ndërsa tregu po shkon drejt monopolizimit.

Diana Toma, Presidente e këtij Urdhri thotë se një sasi vaksinash që po bëhen gati për shitje do të tregtohen vetëm nga një rrjet farmacish.

Vaksina kunder gripit mungon ne farmaci, Toma: Tregu drejt monopolizimit| ABC News Albania

“Një kompani importuese që është bashkëpronare e një rrjeti të caktuar farmacish, ka tentuar të monopolizojë furnizimin e sjellë prej saj. Kjo na është bërë me dije nga denoncimet që kemi pasur nga kolegët tanë që janë drejtuar pranë këtij importuesi me kërkesën për të marrë furnizim dhe prej tyre kanë marrë përgjigjen jo, “sepse me këtë vaksinë do të furnizohet vetën rrjeti ynë farmaceutik”. Kjo është e paligjshme dhe institucionet duhet të shprehen dhe kjo shprehje duhet të dalë me një vendim”, tha ajo.

Ndërkohë në qendrat shëndetësore kjo vaksinë po kryhet nga mjekët dhe infermierët që çdo ditë janë në kontakt me pacientë të prekur nga koronavirus dhe veç masave ndaj tij duhet të mbrohen dhe nga gripi.

Pas punonjësve të shëndetësisë vaksinimi falas sipas Ministrisë së Shëndetësisë do të vijojë me mësuesit, edukatorët, të sëmurët kronikë, moshat mbi 65 vjeç dhe fëmijët.

“Vaksina ndaj gripit në ndryshim nga vaksinat e tjera është një vaksinë që duhet bërë çdo vit. Arsyeja është sepse mbrojtja e saj është vetëm për një periudhë të caktuar kohe, pra mbron deri 9 muaj apo një vit. Duke qenë se jemi në periudhë pandemie, vaksinimi ndaj gripit na ndihmon që të kemi një rrezik më pak”.

Për grupet më të rrezikuara këtë vit Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se ka porositur 368 mijë doza vaksinë kundër gripit./abcnews.al/

SHKARKO APP