Vaksina u tërhoq nga tregu, ISHP: S’ka rrezik afatgjatë nga AstraZeneca
Tërheqja e vaksinës AstraZeneca nga tregu, ka shkaktuar panik edhe në Shqipëri, pasi në vendin tonë kanë hyrë 538 mijë vaksina të tilla. Instituti i Shëndetit Publik qetëson qytetarët që kanë bërë vaksinën AstraZeneca, se nuk kanë asnjë rrezik.
Silva Bino: Këto reaksione anësore shfaqen 5-30 ditë pas bërjes së vaksinës. Kjo nuk ka asnjë ndikim afatgjatë, pra kushdo që ka bërë vaksinë AstraZeneca nuk ka pse të shqetësohet. Të dhënat ishin të sigurta dhe sigurisht vaksina u përdor në mënyrë masive në Mbretërinë e Bashkuar në Itali, në Francë në të gjitha vendet evropiane. Kjo lloj vaksine është përdorur në vendin tonë deri në Dhjetor të vitit 2021, më pas vaksina nuk është përdorur. Kanë hyrë 538 mijë ku 78% e tyre janë përdorur.
Sipas shefes së departamentit të epidemiologjisë Silva Bino vaksinat nuk kanë pasoja afatgjata dhe se të gjithë personat e vaksinuar me AstraZeneca janë monitoruar.
Silva Bino: Të gjithë njerëzit ne i kemi monitoruar dhe nuk kemi pasur reaksion anësor të tillë. Natyrisht ka pasur temperaturë sepse ky është një reaksion normal, pra ne nuk kemi pasur vdekje të lidhura me vaksinën. Një pjesë e njerëzve të cilët ne mendonim se mund të kishte edhe risk nga kjo gjë nuk bëmë dozën e dytë më AstraZeneca po bëmë Pfizer apo vaksinën kineze.
Sipas ekspertes Bino, tërheqja e vaksinës AstraZeneca nga tregu nuk është bërë vetëm për shkak të mpiksjes së gjakut që ajo mund të shkaktonte.
Silva Bino: Tërheqja e vaksinës në bazë të të dhënave që ne kemi është se ajo nuk bën përditësimin e vaksinës ndaj shtameve të tjera, një cilësi që e kanë vaksinat që përdoren me mRMA.
Vaksinimi me AstraZeneca në Shqipëri nisi në Mars të vitit 2021, në një kohë që numri i infektimeve dhe i vdekjeve nga Covidi-19 ishte i lartë. Në Shqipëri në total janë administruar rreth 3 milionë vaksina, pjesa dërrmuese janë Pfizer dhe Sinovak.