Vaksinat anti-covid, BE-ja po përballet me kritika të forta
Bashkimi Europian po përballet me disa probleme, por edhe me kritika lidhur me vaksinimin anti-covid. Agjencia Europiane e Barnave (EMA) nuk ka ende një vendim mbi miratimin e vaksinës Moderna.
Komiteti i EMA-s kishte thirrur një takim të hënën pasdite për të diskutuar mbi vaksinën Moderna, por ende nuk ka vendosur asgjë, duke e shtyrë në mbledhjen e ardhshme me datë 6 janar.
Epidemiologu Ton de Boer, pjesë e ekipit të komitetit të ekspertëve të Agjencisë Europiane të Barnave tha se “Shpresoj se do të ketë një vendim të mërkurën, por ende nuk e di se çfarë do të ndodhë”.
Komisioni Evropian ka mbrojtur strategjinë e tij të vaksinimit anticovid, por ka patur kritika nga vendet anëtare në lidhje me përhapjen e ngadaltë të dozave. Një prej tyre është edhe Finlanda, ku autoritetet shëndetësore janë shprehur se janë të pakënaqur se vendi mori rreth 40,000 doza në dhjetor, në vend të 300,000 që priteshin.
Zëdhënësi i Komisionit të BE-së, Eric Mamer, thotë se problemi kryesor me programet e vaksinimit është çështja e kapacitetit të prodhimit, një çështje me të cilën po përballen të gjitha vendet.