”Vaksinat janë efikase”, Bino: Kemi shanse për rikthimin në normalitet
Vaksina kineze ”Sinovac” që po aplikohet në masë tek të moshuarit në Shqipëri, pritet që të marrë miratimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, edhe pse ende Agjensia Europiane e Barnave nuk e ka cerfitikuar. Shefja për sëmundjet infektivë në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino tregon se kjo vaksinë por dhe tre të tjerat, krahas mbrojtjes ulin format e rënda dhe vdekjet.
Edhe pse Kina është hermetike ndaj çdo shteti për të dhënat ”Sinovac”, Shqipëria i është referuar efektshmërisë që po jep kjo vaksinë në Turqi, Brazil dhe vende të tjera. Bino shprehet optimiste për periudhën e verës dhe në vijim. Nëse vaksinat do të vijnë në kohën e duhur, pas muajit qershor vendi mund t’i rikthehet normalitetit të dikurshëm.
Vaksinimi po bëhet paralel me 4 lloje vaksinash dhe për kategori të ndryshme. Pas mjekëve dhe mësuesve, të moshuarit po vaksinohen në masë me vaksinën kineze. Sipas ekspertëve, ”Sinovac” fillon të krijojë anti-trupa 10 ditë pas dozës së parë dhe ndryshe nga Pfizer, Astrazeneca dhe Sputnik V, vaksina kineze përmban virusin e dobësuar të Sars Cov-2.