Vaksinim antigrip falas në banesë për pacientët kronikë, fushata vijon në terren

Ekipet mjekësore në të gjithë vendin po vijojnë çdo ditë vaksinimin në banesë për pacientët me sëmundje kronike, duke siguruar akses të lehtë dhe falas ndaj vaksinës antigrip, veçanërisht për ata që nuk mund të lëvizin drejt qendrave shëndetësore.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale publikoi sot në rrjetet sociale momente nga puna në terren e infermiereve të qendrës shëndetësore nr. 9 në Tiranë, duke theksuar angazhimin e vazhdueshëm për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.

“Vaksina shpëton jetë. Në këtë periudhë të gripit sezonal, ekipet tona janë çdo ditë në terren, duke ofruar vaksinën antigrip falas në banesë për pacientët kronikë që nuk kanë mundësi të paraqiten në qendrat shëndetësore. Shëndeti i çdo qytetari mbetet prioriteti ynë”, nënvizon Ministria.

Eriseida Brisku, infermiere pranë kësaj qendre shëndetësore, shprehet: “Kur të moshuarit nuk mund të vijnë në ambulancë, ne shkojmë në banesë për t’i vaksinuar. Shumë prej pacientëve janë me hipertension dhe diabet, ndaj vaksinimi është jetik për mbrojtjen e tyre.”
Fushata e vaksinimit nisi më 22 shtator 2025, dhe vetëm gjatë javës së parë në Njësinë Rajonale të Vaksinimit dhe Kontrollit Shëndetësor (NJVKSH) në Tiranë janë vaksinuar mbi 6,600 qytetarë, sipas të dhënave të regjistruara në sistemin elektronik të vaksinimit.
Ministria ka siguruar gjithsej 280,000 doza të vaksinës antigrip, të cilat janë shpërndarë në të gjitha qendrat shëndetësore në gjithë vendin, duke garantuar disponueshmërinë për grupet prioritare.

Swiss Digital Desktop Reklama

Vaksinimi antigrip rekomandohet veçanërisht për punonjësit shëndetësorë dhe personat me sëmundje kronike si ato kardiovaskulare, pulmonare, diabeti, astma, sëmundjet e mëlçisë dhe veshkave, si dhe për pacientët me diagnoza të rënda si tumoret dhe kanceri. Përfshihen gjithashtu personat mbi 65 vjeç, banorët dhe personeli i institucioneve të kujdesit afatgjatë, personat obezë, ata me imunitet të dobësuar, gratë shtatzëna, fëmijët mbi 6 muajsh sidomos me sëmundje bashkëshoqëruese, si dhe mësuesit, edukatorët, si dhe stafi i ushtrisë dhe forcave të rendit.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?