Vaksinimi anti-covid edhe në shtëpi, mjekja Diko: Ekipet tona pranë pacientëve me pamundësi lëvizjeje

Në Qendrën Shëndetësore nr.10 në kryeqytet janë vaksinuar në ambientet e shtëpisë rreth 108 pacientë, ndërsa vetëm në qendër janë aplikuar në total 6000 doza vaksine.

”Qendra shëndetësore nr. 10 e kryen vaksinimin duke zbatuar me përpikëri rregullat ndaj Covid-19, pacientët njoftohen për oraret e vaksinimit nga mjeku familjes. Stafi i vaksinimit me mjekun përkatës dhe infermierin kryen vaksinën sipas fashave edhe në shtëpi”,-thotë mjekja Jonida Diko.

Lidhur me procesin e vaksinimit për kategoritë e tjera mjekja thekson se procesi po vijon normalisht, pa efekte anësore për të vaksinuarit. Në këtë qendër shëndetësore, sipas saj, janë aplikuar në total 6000 doza vaksine. Sipas saj, aktualisht po vaksinohet mosha mbi 57-vjeç me prioritet të sëmurët kronikë.

”Për të sëmurët kronikë po përdorim vaksinën Pfizer sipas udhëzimit të vetë vaksinës. Të sëmurët kronikë që u është dhënë përparësi për vaksinën Pfizer në qendrat shëndetësore kanë qenë të sëmurët CA, me transplant renal, me sëmundje autoimune, diabetikët me varësi nga insulina. Tani udhëzimi për vaksinën Pfizer është rishikuar dhe janë futur edhe kategori pacientësh me sëmundje kronike të përcaktuara nga vetë udhëzuesi”.

SHKARKO APP