Vaksinimi, Balla: Ne do të dalim me ballin lart nga kjo situatë
Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Elbasanit Taulant Balla ka ndjekur procesin e vaksinimit masiv në Librazhd. Gjatë fjalës së tij, Balla u shpreh krenar dhe i gëzuar për fillimin e vaksinimit masiv duke treguar se janë 11 mijë vaksina për qarkun e Elbasanit. Më tej ai iu bëri apel të gjithë personave mbi 70 vjeç që të paraqiten për tu vaksinuar.
“Nuk mund ta fsheh gëzimin dhe krenarinë që kemi filluar vaksinimin në të gjithë qendrat shëndetësore të qarkut Elbasan. Këtu jemi në një qendër vaksinimi të grumbulluar për të gjithë personat mbi 70 vjeç në Bashkinë Librazhd. Numri i personave që do vaksinohen është i lartë pasi janë 11 mijë vaksina për qarkun e Elbasanit. Apeli im është që çdo banor mbi moshën 70 vjeç të paraqitet në qendrën shëndetësore të zonës së tij, për zonat e thella do të mundësojmë edhe transportin”, tha ai.
Balla tha se duhet të mbarojmë vaksinimin masiv në një kohë të shkurtër që t’i kthehemi jetës normale në verë.
“Duhet ta mbarojmë vaksinimin masiv sa më shpejt që në verë të jemi çliruar nga ky makth, te hapet turizmi, ekonomia të funksionojë plotësisht, dhe pse jo ti kthehemi dasmave”, tha ai.
Më tej Balla u shpreh se situata është trajtuar me përgjegjshmëri dhe që një vaksinim i tillë ndodh në shumë pak vende të botës.
“Është një moment që tregon se me çfarë përgjegjshmërie e kemi trajtuar këtë situatën. Ne do të dalim me ballin lart nga kjo situatë e rëndë që u krijua në të gjithë botën. Është fakt tashmë që një vaksinim i tillë ndodh në shumë pak vende të botës dhe është fakt që Shqipëria ka arritur të administrojë një shifër shumë të madhe vaksinash” shtoi ai.